Policia e shtetit, policia bashkiake dhe ajo private rrethuan sot që rreth orës 7:00 të mëngjesit Teatrin Kombëtar.
Qytetarë të shumtë iu përgjigjën thirrjeve të artistëve duke u mbledhur në shesh, ndërsa përplasjet u përshkallëzuan rreth orës 9:50 pasi punonjës u futën nga policia në Teatër për të zbrazur godinat, ndërsa më herët policia kishte dhunuar regjisorin Robert Budina.
Autoritetet nuk japin shumë informacion, por nga artistët dhe qytetarët e angazhuar në protestë, thuhet se ata kërkojnë që të nxjerrin jashtë materialet në mënyrë që të marrin në dorëzim godinat e më pas të vazhdohet me shembjen.
Javën e fundit ka pasur mjaft tension mes protestuesve pasi herë pas here policia është shfaqur në sheshin mes Teatrit duke kërkuar futjen e disa punonjësve në ambientet teatrale.
Rrethimi i Teatrit nisi rreth orës 7:00 të mëngjesit, por një pjesë e protestuesve ishin aty dhe përmes rrjeteve sociale njoftuan se çfarë po ndodhte.
Protestuesit prej kohësh e kalojnë natën në ambientet e Teatrit, pasi që në muajin prill, kur ndërtesës iu hoqën gërmat gjatë mbrëmjes, askush nuk është ndjerë më i qetë se veprime të tilla nuk do të përsëriteshin.
Në rrethimin e Teatrit, policia nuk i anashkaloi përplasjet me protestuesit, duke mos kursyer as regjisorin Edmond Budina, të cilin e ndaluan forcërisht të hynte në ambientet e ndërtesës duke e përplasur për toke.
Prej rreth 2 vitesh, qeveria, Bashkia Tiranë dhe artistët janë të ndarë për sa i përket zhvillimit të Teatrit Kombëtar.
Qeveria dhe Bashkia Tiranë kanë mbështetur edhe me ligj shembjen e teatrit dhe dhënien një privati për ta zhvilluar atë bashkë me një projekt prej 6 kullash, ndërsa artistët këmbëngulin që teatri të mos shembet, por të rikonstruktohet.
Në fillim të qershorit në Fletoren Zyrtare u zbardh një VKM e qeverisë që autorizon ngritjen e komisionit për negocimin e kontratës me kompaninë private.
Vendimi qe miratuar më 4 prill 2019 në Këshillin e Ministrave, por nuk është publikuar në faqen zyrtare të Kryeministrisë, siç është vepruar me vendimet e tjera të marrë atë ditë.
Ai është hapi i parë konkret për prishjen e teatrit dhe nisjes së ndërtimit të teatrit të ri dhe gjashtë kullave rreth tij, siç e parashikon “ligji special” për teatrin.
Sipas VKM-së së miratuar, së shpejti duhet të publikohet thirrja për projekte në lidhje me zhvillimin e zonës. Siç Exit.al ka raportuar më parë, ka shumë mundësi që arkitekti Bjarke Ingels të jetë tërhequr nga ky projekt.
Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, e cila së bashku me qytetarë e artistë, ka protestuar kundër shembjes së teatrit prej rreth 2 vitesh, është shprehur e vendosur se “do të mbrojë deri në fund teatrin, duke u përballur qoftë dhe fizikisht”.