U gjobit nga Policia, Debreshi: Tentativë për të mbytur zërin e punëtorëve

Nga Exit News
U gjobit nga Policia, Debreshi: Tentativë për të mbytur zërin e punëtorëve

Kandidati i pavarur për deputet në Dibër Elton Debreshi denoncoi të martën përballe drejtorisë së Policisë së Bulqizës gjobën prej 5 milionë lekësh.

Ai tha se kjo është një tentativë për të mbytur zërin e punëtorëve.

“Gjobëvënia ndaj takimit tonë elektoral është dora e pushtetarëve që tenton të mbytë zërin e punëtorëve. Të njëjtën gjë bënë edhe me protestën e minatorëve në vitin 2019. Të njëjtën gjë bënë edhe me protestën e naftëtarëve një vit më vonë”, tha Debreshi.

Debreshi u shpreh se “punëtorët gjobiten ndërsa militantët partiakë nuk preken”. “Punëtorët gjobiten ndërsa oligarkëve u falen taksat.  Ne nuk trembemi nga provokimet! Ne nuk ndalemi nga gjobat”, u shpreh Debreshi.

Ai u gjobit nga Policia me arsyetimin se kishte grumbulluar më shumë se 10 persona.

Me urdhrin nr.633 të datës 17.11.2020 Ministria e Shëndetësisë  dhe Mbrojtjes Sociale ndaloi grumbullimet e më shumë se 10 personave në vende të mbyllura apo të hapura, duke përfshirë këtu konferencat, tubimet apo mbledhjet partiake deri në urdhër të dytë.

Në 11 mars 2021, me urdhrin nr.158, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale vendosi ta zgjasë këtë urdhër deri më datë 25 mars 2021.

Por Policia e Dibrës nuk ka gjobitur kandidatët e tjerë në këtë qark të cilët po ashtu kanë organizuar grumbullime me më shumë se 10 persona në ambiente të mbyllura dhe të hapura.

Që prej fillimit të fushatës, policia ka gjobitur 10 kandidatë për deputet për organizimin e takimeve elektorale me mbi 10 persona, në ambiente të mbyllur, pa distancim social.

Partitë politike janë kritikuar për mos respektimin e masave kundër Covid-19, por shumë prej tyre i kanë shkelur masat dhe nuk janë gjobitur.

Debreshi ka thënë se nuk do e paguajë gjobën. Pak ditë më parë ai bëri thirrje për mbështetje financiare për fushatën, pasi është duke e organizuar atë me mbështetje vullnetare.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>