Një reportazh i Zërit të Amerikës me bashkëpunimin e Blogut Amfora paraqet gjendjen problematike të shkaktuar nga Shoqëria Aksionere Ujësjellës Kanalizime Tiranë (UKT) në lidhje me zëvendësimet arbitrare të ujëmatësve në qytetin e Tiranës.
Zëvendësimet e shpeshta me detyrim të ujëmatësve rëndojnë në xhepat e konsumatorëve të ujit, 83 për qind e të cilëve janë familjarë, por sidomos në xhepat e pensionistëve. Ndërkohë që ligji parashikon se ujëmatësit duhet të zëvendësohen një herë në 5-10 vjet, pavarësisht nëse shfaqin ose jo probleme, dëshmitë e konsumatorëve tregojnë se me raste, UKT kryen zëvendësime edhe të përvitshme. Tirana rezulton me nivelin më të lartë të ndërrimeve dhe çmimet më të larta të ujëmatësve krahasuar me të gjitha qytetet në Shqipëri. Konsumatorët e intervistuar nga Zëri i Amerikës nxjerrin në pah një tjetër shkelje të UKT, që është mungesa e njoftimit të konsumatorëve një muaj përpara detyrimit të tyre për të zëvendësuar ujëmatësin e amortizuar. Në vend të kësaj, vërehet arbitrariteti nga ana e UKT-së, punonjësit e së cilët zëvendësojnë ujëmatësit dhe ia faturojnë konsumatorëve pa kurrfarë lajmërimi paraprak.
Ndërkohë që asnjë punonjës i zyrave të UKT nuk ka pranuar të prononcohet për Zërin e Amerikës, përmes përgjigjes me shkrim UKT ka pretenduar se insitucioni e zbaton ligjin për lajmërimin e konsumatorëve një muaj përpara.
Nga ana tjetër, reportazhi nxjerr në pah edhe çmimet e larta për ujëmatësit e rinj të faturuar nga UKT. Çmimi i UKT për një ujëmatës është 4.200 leke, ndërkohë që në Durrës është 3.500 lekë, në Elbasan 2.000 lekë, ndërsa në Vlorë qytetarët mund të paguajnë vetëm 1.000 lekë për instalimin dhe aparatin ta blejnë vetë në treg. Ndërkohë, çmimi i faturuar nga UKT vetëm për instalimin është 3.100 lekë, mbi 3 herë më i lartë se në Vlorë.
Një pikë tjetër që tregon abuzimet e mundshme të UKT-së me ujëmatësat është numri i lartë i zëvendësimit të tyre. Gjatë vitit 2017 janë zëvendësuar rreth 13 për qind e gjithë ujëmatësve në Tiranë (26.650), ndërsa vetëm në tremujorine parë të vitit 2018 janë ndërruar 4,3 për qind (8.887). Për krahasim, në Durrës janë ndërruar vetëm 8,2 për qind e ujëmatësve (6.576) gjatë vitit 2017, dhe 4,3 për qind (3.476) deri në muajin tetor të vitit 2018. Konsumatorët i kanë paguar UKT-së 900 mijë euro për ndërrimet e ujëmatësve vetëm në vitin 2017.
Ujëmatësat e përdorur për zëvendësime nga UKT në dy vitet e fundit janë siguruar përmes dy tenderave me vlerë totale 1,3 milionë euro pa TVSH. Në tenderin e vitin 2017 ka marrë pjesë vetëm një kompani, e cila ka rezultuar fituese pa pasur konkurrencë. Në vitin 2018 ka pasur ankesa për tenderin, por kompania fituese ka vazhduar punën bashkë me UKT-në.
Kryetari i Shoqatës së Konsumatorit Shqiptar Edi Fero shprehet për Zërin e Amerikës se një tjetër problem është edhe mosrespektimi nga UKT i standardeve për cilësinë e ujëmatësve të tenderuar. Ndërkohë që ato duhet të jenë prej bronzi, ujëmatësat e vendosur janë prej gize, por të lyer me varak në ngjyrë bronzi. Pavarësisht ngjyrës, varaku nuk ia rrit cilësinë ujëmatësit.