Sasia e mallrave të transportuar me ajër, hekurudhë dhe në det gjatë vitit 2020, ka rënë krahasuar me një vit më parë, sipas të dhënave të INSTAT-it, publikuar në 27 janar.
Në vitin 2020, sasia e mallrave të transportuar me hekurudhë është 26.029 mijë ton-kilometër, duke u ulur me 39,4 për qind, krahasuar me vitin 2019.
Po ashtu, sasia e mallrave të transportuar me ajër është 1.796,8 ton duke u ulur me 24,3 për qind, krahasuar me një vit më parë.
Ndërsa sasia e mallrave të ardhura në portet shqiptarë ka pësuar ulje më të lehtë: në 2020-ën kanë ardhur 4.277 mijë ton mallra, 4 për qind më pak se në vitin 2019.
Edhe të dhënat për muajin dhjetor 2020 tregojnë ulje të sasive të mallrave të transportuar në krahasim me dhjetorin 2019.
Rënia e sasisë së mallrave të transportuar është pasqyruar edhe në rënien e numrit të fluturimeve e udhëtimeve me linja detare, si dhe në numrin e pasagjerëve.
Në vitin 2020, kanë udhëtuar me linjë detare 379.084 pasagjerë, duke u ulur me 75,9 për qind, krahasuar me vitin 2019.
Ndërsa numri i pasagjerëve që udhëtuan me linja ajrore, në vitin 2020 është ulur me 60,7 përqind, krahasuar me vitin 2019.