Instituti Kombëtar i Shëndetësisë u bëri thirrje të dielën qytetarëve të respektojnë masat kundër Covid-19 pas shfaqjes së variantit të ri në Kosovë.
IKSHPK-ja bëri thirrje të ndalohen tubimet dhe të respektohen me përpikmëri masat kufizuese në aktivitete publike.
Në njoftimin e IKSHPK thuhet se daljet jashtë shtëpie duhet të bëhen vetëm në rastet që ka nevoja të domosdoshme.
Instituti rekomandon që të shmangen grumbullimet edhe në familje. Të kufizohet puna që nuk është e rëndësishme.
Po ashtu sugjeron që të reduktohet edhe ora e punës.
IKSHPK vë në dukje se “në ditët e fundit janë parë tubime të shumta të partive politike, pa u respektuar masat”.
Kosova ka raportuar 3 raste me variantin e ri britanik deri më tani.
Kosova ka pezulluar të gjitha fluturimet drejt Mbretërisë së Bashkuar nga frika e përhapjes së variantit të ri të koronavirusit.
Autoritetet britanike kanë thënë se ai është më i transmetueshëm dhe ka shenja që sugjerojnë se është edhe më vdekjeprurës.
Kompanitë, Pfizer dhe Moderna kanë njoftuar se vaksinat e tyre ndaj Covid-19 do të jenë efikase edhe kundër varianteve të reja të shfaqura në Britani dhe Afrikën e Jugut.