Vazhdojnë pa asnjë ndryshim fluturimet mes Shqipërisë dhe Italisë, pavarësisht gjendjes së shtetrrethimit të vendosur në Rajonin e Lombardisë dhe 11 qytete të tjera italiane për shkak të koronavirusit.
Exit News telefonoi aeroportin e Rinasit, punonjësit e të cilit konfirmuar se fluturimet nga Italia në Shqipëri dhe e anasjellta po vazhdojnë normalisht. Mëngjesin e sotëm kanë ardhur avionë nga Roma dhe Milano, qyteti me numrin më të lartë të të prekurve nga koronavirusi.
E vetmja kompani që ka anuluar fluturimet sot nga Italia në Shqipëri është Air Albania, për shkak të problemeve operacionale.
Lajmi i përhapur sot në disa media se ka filluar anulimi i fluturimeve Itali-Shqipëri është i pavërtetë pasi kompanitë e tjera si AlItalia, Easy Jet, Alba Wings dhe Blue Panorama vazhdojnë normalisht fluturimet.
Vetëm sot kanë të planifikuara fluturime nga Roma, Bolonja, Milano, Bergamo, Peruxha dhe Venecia.
Exit News tentoi disa herë të kontakojë me kompaninë Air Albania për të mësuar më shumë për shkakun e anulimit të fluturimeve me Italinë, por nuk mundi të lidhet me asnjë operator.
Sipas faqes zyrtare të aeroportit të Rinasit, fluturimet e Air Albanias me Turqinë sot vazhdojnë si normalisht dhe nuk ka pasur asnjë anulim.
Dje qeveria italiane vendosi të ndalojë hyrjet dhe daljet në rajonin e Lombardisë, ku ndodhet dhe Milano, qyteti më i prekur deri tani nga koronavirusi, si dhe në 11 qytete të vendit kryesisht në veri të vendit.