Kryetari i Bashkisë Tiranë Erion Veliaj cilësoi sot kauzën e banorëve të Astirit kauzë false të ngritur nga opozita për të penguar zhvillimin e projekteve të tij për kryeqytetin.
Pas aksionit që Inspektoriat i Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) zhvilloi mëngjesin e sotëm pranë Sheshit Shqiponja, kryebashkiaku Veliaj komentoi përmes një postimi në Twitter duke thënë se “kauzat e rreme bien si ngrehinat pa leje”. Këtë shprehje e shoqëroi me video nga shembja e një ndërtese 4 katëshe që u bë sot:
Kauzat e rreme, bien si ngrehinat pa leje! 🏚
Astiri qe nje kauze fallco partish te lodhura, kunder Tiranes qe ka nevoje per rruge, sheshe, teatro e parqe! 🎭🌳
Pas nderteses se fundit, nis puna per Unazen e Madhe ne 100 vjetorin e Tiranes kryeqytet! FORCA! 👊 #Tirana100 💯🎠🇦🇱 pic.twitter.com/83bJgUyi72
— Erion Veliaj 🚴♂️🌳⚽️🇦🇱 (@erionveliaj) January 9, 2020
Prej kohësh zoti Veliaj përdor qasje agresive ndaj qytetarëve, të cilët kundërshtojnë projektet e tij, ndërsa ai këmbëngul se do të vazhdojë me zbatimin e tyre pavarësisht kundërshtive. Përveç Unazës së Re, janë kundërshtuar betonizimi i Liqenit Artificial për parkun e lojërave dhe projekti për Teatrin Kombëtar që parashikon shembjen e ndërtesës ekzistuese dhe dhënies për ndërtim privatëve. Këta të fundit përfitojnë tokë dhe leje për ndërtim kullash pas teatrit.
Projekti i zgjerimit të Unazës së Re u bllokua prej më shumë se një viti prej faktit se qeveria nuk merrte përsipër dëmshpërblimin me vlerën e tregut të banorëve që prekeshin nga ndërtimi. Përveç kësaj fakti se një nga fituesit e tenderit te Sheshi Shqiponja rezultoi të kishte aplikuar me dokumente false çoi në anulimin e projektit dhe rikonceptimit të gjithë nyjes hyrëse të Tiranës.