Veliaj dhe punonjësi i bashkisë postojnë foton e një të mituri lakuriq në Twitter

Nga Alice Elizabeth Taylor
Veliaj dhe punonjësi i bashkisë postojnë foton e një të mituri lakuriq në Twitter

Epidamn Zeqo, Drejtori i Planifikimit Strategjik në Bashkinë e Tiranës dhe kryebashkiaku Erion Veliaj kanë postuar në Twitter fotografinë e një të mituri nudo.

Exit.al e ka censuruar fotografinë.

Fotografia e fëmijës në Sheshin Skënderbej u postua nga Zeqo me përshkrimin “Ditët e verës në Tiranë”, shoqëruar me një emoticon me sytë si zemra. Fëmija në foto është komplet i zhveshur, me kurrizin kthyer nga fotografi.

Zeqo e ndau këtë foto me 854 ndjekësit e tij në Twitter, ndërsa kryebashkiaku Veliaj e ndau atë në profilin e tij më 162 mijë ndjekës.

Postimi i fotos të një fëmije të zhveshur në mediat sociale shtron një sërë çështjesh. Së pari, fëmija në foto është i mitur (në këtë rast një bebe) dhe nuk mund të japë pëlqimin e tij për të bërë publike një foto të trupit të tij të zhveshur.

Së dyti, nuk është e qartë se fëmija i kujt është. Nëse nuk është fëmija i vetë Zeqos, a ka qenë dakord prindi i fëmijës për postimin e kësaj fotoje? A janë prindërit e fëmijës të vetëdijshëm që kjo foto tani mund të shkarkohet nga miliarda njerëz nga e gjithë bota? Nëse është fëmija i vetë Zeqos, ai duhet të jetë i vetëdijshëm që publikimi i një fotografie nudo të fëmijës së tij nuk është i përshtatshëm, si dhe për faktin që fëmija nuk ka dhënë pëlqimin e tij.

Së treti, postimi i lakuriqësisë në mediat sociale është i kufizuar në të gjitha rrjetet sociale kryesore dhe në rastin e Twitter-it, fotoja shkel politikën e Twitter-it për të mos publikuar foto nudo pa pëlqimin e vetë personit:

“Ju nuk mund të postoni ose ndani foto ose video intime të dikujt që janë prodhuar ose shpërndarë pa pëlqimin e tyre. Ndarja e imazheve seksuale ose videot e dikujt në internet pa pëlqimin e tyre është një shkelje e rëndë e privatësisë së tyre dhe e Rregullave të Twitter-it.”

Së katërti, postimi i një foto të tillë është i paligjshëm në një sërë vendesh dhe mund të interpretohet si përhapje e pornografisë për fëmijë.

Për shembull, në Mbretërinë e Bashkuar, është e paligjshme të shpërndash një foto të pahijshme të një fëmije, e cila plotëson kriteret e përkufizimit të pornografisë së fëmijëve. Individi që dënohet për këtë vepër si dhunues seksual. E njëjta gjë ndodh në Australi, SHBA, Afrikën e Jugut dhe një sërë vendesh të BE-së.

Së fundmi, është shqetësuese fakti që zyrtarët qeveritarë, punonjësit dhe nëpunësit civilë, me dëshirë e vetëdije, ndajnë një foto të tillë pa marrë parasysh se mund të bjerë në duar të gabuara.

Nuk ka asnjë mënyrë për të kufizuar ose gjurmuar se sa herë shkarkohet fotoj, për çfarë përdoret, dhe kush e përdor atë pasi fotoja të jetë postuar në internet. Me fjalë të tjera, nëse fëmija, ose prindërit do të ndërronin mendje për publikimin e fotos, nuk ka asnjë mënyrë për ta hequr plotësisht atë  nga internet pasi dëmi tashmë është bërë.

Ndërsa Kryebashkiaku Veliaj vazhdon të këmbëngulë dhe të propagandojë që Tirana është një “qytet miqësor për fëmijët”, përdorimi i fotove lakuriq të të miturve nuk duhet të përdoret si mjet për ta porpaganduar këtë.

Fotografi të tilla nuk janë vetëm të gabuara moralisht dhe potencialisht të paligjshme, por ato veçanërisht tregojnë për shije të këqija kur përdoren nga politikanët.

Le të mos harrojmë gjithashtu faktin shqetësues se publikimi i fotos injoron të drejtat e njeriut për të dhënë dakordësinë e tij, pasi fëmija në foto duket shumë i vogël, rreth dy vjeç.

Së fundmi, publikimi i një fotoje të tillë nga Kryebashkiaku Veliaj tregon injorancë dhe shpërfillje ndaj asaj që mund të ndodhë me këtë foto – ku mund të përfundojë dhe për çfarë mund të përdoret. Të gjitha këto harrohen në emër të propagandës.

Veliaj është kritikuar shpeshherë për përdorimin e fëmijëve për propagandë, në çdo rast që i është dhënë mundësia. Ka imazhe të panumërta të tijat në internet  duke puthur, përqafuar, prekur dhe madje duke bërë mundje me fëmijët e të tjerëve në ngjarje publike – diçka që është e padëgjuar dhe e papranueshme për politikanët apo figurat publike perëndimore.

Një vështrim i shpejtë në faqen e tij në Facebook tregon se ai nuk ka asnjë brejtje ndërgjegjeje për të mbështetur imazhin e tij politik në kontaktet fizike me fëmijët, një fakt që ngre një sërë problemesh morale, si për shembull nëse është në rregull të shfrytëzohen fëmijët për të axhendë dhe propagandë politike.

Për të parë një arkiv të fotografive të Erion Veliajt në ndërveprimet fizike me fëmijë të vegjël klikoni këtu.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>