Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj ka deklaruar, dy ditë më parë, se së shpejti do të fillojë zbatimi i projektit të ish kryebashkiakut Rama për Sheshin Skënderbej.
Projekti i miratuar në vitin 2008 është hartuar nga studioja belge 51N4E dhe Anri Sala, një nga miqtë më të afërt të Kryeministrit Rama.
Sipas projektuesit, zbatimi i projektit do të kushtojë rreth 11 milionë Euro. Zoti Veliaj deklaroi, dy ditë më parë, se financimi i projektit është siguruar nga fondet e qeverisë.
Projekti parashikon kthimin e Sheshit Skëndërbej në një hapësirë vetëm për kalimtarë. Ai do të shndërrohet në një piramidë gjigande, të ulët, që fillon ngritjen e ngadaltë nga anët e sheshit drejt qendrës së tij, ku do të arrijë lartësinë 1,5 m. Për të zbutur masën gjigande të betonit, në disa vende të sheshit do të mbillen pemë gjelbëruese.
Projekti parashikon ngritjen e disa ndërtesave në shesh – të paktën një ndërtesë të lartë në hapësirën midis Hotel Tiranës dhe Muzeut Historik Kombëtar në fillim të Bulevardit Zogu I, një godinë në vendin ku ka qenë monumenti i Enver Hoxhës dhe një tjetër mënjëherë mbrapa saj.
Ky projekt, i ashtuquajtur belg, zëvëndësoi një projekti të mëparshëm, të ashtuquajtur francez, i cili në kohën e miratimit (2004) u vlerësua shumë nga Rama. Për këtë arsye, shpallja në vitin 2008 e një projekti të ri pa dhënë arsyet ishte suprizues.
Ndërkohë, nuk dihet nëse për pjesën përqark sheshit, Bashkia Tiranë do të ruajë përcaktimet e projektit francez, i cili parashikonte 10 kulla të larta përqark sheshit. Njëra prej këtyre kullave, godina TID tek monumenti Ushtari i Panjohur, është në fakt duke përfunduar. Një tjetër godinë, ngjitur me TID, u rikonceptua nga një kullë e lartë në një godinë më të ulët por më të gjerë dhe është gjithashtu në ndërtim e sipër nën emrin Qëndra Toptani.
Projekti i 51N4E për Sheshin Skënderbej ndeshi me disa kritika të ashpra në momentin e bërjes publike. Kritika kryesore ishte që mbyllja e sheshit për këmbësorët do të krijojë problem të mëdha të trafikut, të cilat nuk janë studiuar e vlerësuar asnjëherë, por thjesht janë menduar se mund të përballohen përmes një të ashtuquajture unazë përreth sheshit.
Disa zëra të tjerë kritikuan ngritjen e godinës mes Hotel Tiranës dhe Muzeut. Ndërsa për të tjerë, koncepti i piramidës si simbol i çlirimit nga arkitektura komuniste e sheshit (Pallati i Kulturës, Muzeu dhe Hotel Tirana) është banal dhe po aq problematik sa vetë arkitektura socialiste, nga e cila ai kërkon të çlirojë.
Projekti filloi të zbatohej në vitin 2010 nga ish kryebashkiaku Rama, por ai u ndërpre menjëherë nga pasuesi i tij Lulzim Bashan në vitin 2011. Dëmi i shkaktuar nga ky veprim – kosto e punimeve të realizuara dhe kthimi i sheshit në gjendjen aktuale – nuk u vlerësua asnjëherë por mendohet se ka qenë mbi 1.5 milionë euro. Askush nuk mbajti asnjëherë përgjegjësi për këtë dëm.
Studio belge 51N4E është themeluar në vitin 1998. Ajo u bë fillimisht e njohur ndërkombëtarisht me rindërtimin e godinës së famshme të birrarisë Lamot në Antverp të Belgjikës dhe dy projektet në Tiranë – Kullës TID dhe Sheshin Skënderbej.
51N4E është studioja që projektoi vilën personale të Zotit Rama në Surrel, edhe pse ky fakt nuk është komentuar në media. Ajo ka projektuar gjithashtu edhe një numër pikash karburanti në Tiranë, në pronësi të kompanive më të mëdha të importit të naftës në vend.
Studio 51N4E është, gjithashtu, partnere e studios zyrtare të qeverisë shqiptare, Atelier Albania, e cila është organizatori zyrtar qeveritar i konkurseve dhe tenderimeve në fushën e zhvillimit urban.
Një nga partnerët e kompanisë, Peter Swinnen, pasi shërbeu për disa vjet si Arkitekt Zyrtar i qeverisë së krahinës autonome flamande në Belgjikë, u pushua nga puna në shkurt të 2015, pasi një raport auditimi e akuzonte për disa raste serioze të konfliktit të interesit në projekte të ndryshme, në mes të cilave përfshiheshin dhe projektet në Shqipëri.