Veliera në Durrës – Si po shkatërrojmë trashëgiminë kulturore e historike?

Nga Ylber Vokshi
Veliera në Durrës – Si po shkatërrojmë trashëgiminë kulturore e historike?

Me shqetësim të madh po e ndjek atë që po ndodh në qytetin antik të Durrësit, lidhur me punimet për ndërtimin e sheshit të ri “ Veliera” (anije mesjetare me vela) prej betoni në hyrjen e portit detar. Ky ndërtim po kërcënon të shkatërrojë trashëgiminë arkeologjike shekullore në qytetin e Dyrrachiumit të vjetër mijëvjeçar.

Nuk është hera e parë që nuk respektohen ligjet, normat dhe standardet e trashëgimisë kulturore në këtë qytet me vlera të mëdha arkeologjike dhe historike, që bindshëm argumenton ekzistencën e popullit shqiptar në këto hapësira që nga viti 627 para Krishtit.

Në vitin 2010, gjatë gërmimeve për disa pallate të larta u zbuluan gërmadhat një lagjeje të lashtë të kohës romake në zonën “B” arkeologjike. Çuditërisht me lejen e organeve përgjegjëse shtetërore u lejua shkatërrimi i një lagjeje të tërë urbane, e një vlere unikale arkeologjike. Ajo zonë sot është e mbuluar nga strukturat prej betoni të një pallati. Kundërshtimet e drejta të profesionistëve nuk patën sukses në atë kohë.

Në rastin e sheshit “Veliera” tentohet të ketë edhe falsifikime të gjendjes reale arkeologjike të zonave “A” ose “B” (sipas ligjit për zonifikimin arkeologjik), që kurrsesi nuk arsyetojnë veprimet e atyre që kanë iniciuar një ide të tillë në dëm të trashëgimisë arkeologjike. Domosdo duhet ta kenë të qartë të gjithë se qyteti i vjetër, i hulumtuar apo jo, duhet mbrojtur tërësisht, për shkak të vlerave të mëdha të trashëgimisë arkeologjike dhe historike të pa kontestuara.

Provokime të tilla urbane duhet ndaluar rreptësisht në këtë pjesë të qytetit. Duhen ndërprerë ndërtimet mbi gërmadhat e të kaluarës së ndritshme të “Muzeut të nëntokës”, si e quajnë disa, pasi ato dëshmi të dikurshme gjenden të mbuluara nga ndërtimet që janë ndërtuar më vonë.

Është detyrë e planifikuesve urban që të krijojnë ndërlidhje organike mes të vjetrës dhe të resë, duke e ruajtur me xhelozi të kaluarën e ndritshme të qytetit, e cila duhet të shërbejë si model inspirues për gjeneratat e reja. Identiteti urban i krijuar me shekuj është bazament ideal për vazhdimësi urbane. Ai duhet ruajtur dhe kultivuar, e jo shkatërruar me metoda abuzive ashtu si është vepruar në vitet e fundit, dhe po tentohet edhe në rastin e “Velieras”.

Ky është vetëm një rast i dhimbshëm që është dukuri normale në Shqipëri dhe Kosovë, si rezultat i veprimeve të pakuptimta të vendimmarrësve tanë.

Ende i kam të freskëta veprimet e pakontrolluara të popullatës në 1997 në Shqipëri, me artefaktet, monumentet e kulturës fiktive dhe nëpër muzetë shtetërorë. Dëmtimi, shkatërrimi, vjedhja, plaçkitja, shitja me çmime qesharake, bartja jashtë shtetit ishin dukuri normale atë kohë, shumë të dëmshme për shtetin dhe të kaluarën tonë.

Nëntoka e territoreve ku kanë jetuar dhe jetojnë shqiptarët e sotëm në Shqipëri, Kosovë dhe shtetet tjera të Ballkanit është shumë e pasur me gjurmë të një civilizimi të vjetër pellazgo–ilir. Rrethanat jo të favorshme historike, si dhe pushtimet barbare nuk kanë mundësuar që të hulumtohen rrënjësisht, për të argumentuar të vërtetën historike. Ç’ka është  e vërteta kishte disa perioda të shkurta historike ku hulumtimet arkeologjike ishin më intensive, kjo vlen posaçërisht për Shqipërinë, pasi Kosovës dhe territoreve tjera me shqiptarë nuk iu lejohej një gjë e tillë.

Duke i ditur këto rrethana historike, tmerrësisht irriton sjellja e pa përgjegjshme e vendimmarrësve në të dy shtetet ndaj trajtimit jo të përshtatshëm të trashëgimisë kulturore. Rasti i Durrësit, Gjirokastrës, Tiranës e shumë lokaliteteve tjera në Shqipëri, janë shenja serioze se nuk  duhet lejuar ata që janë përgjegjës të lejojnë, rrënimin e objekteve të trashëgimisë kulturore.

Mos trajtimi i përshtatshëm i trashëgimisë në Berat dhe Gjirokastër detyroi Komitetin e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s në vitin 2015, të vendosë në mënyrë unanime që kjo pasuri mos të përfshihet në Listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik.

Situata në Kosovë me trashëgimin kulturore dhe historike është edhe më dëshpëruese, në këto tetëmbëdhjetë vite liri, ku me të gjitha mjetet  po e shkatërrojmë trashëgiminë kulturore. Me vetëdije me të madhe po e zhdukim të kaluarën tonë, fare pa u brengosur për identitetin tonë urban dhe rural i cili kurrë nuk është trajtuar seriozisht.

Ndërtimet me leje e pa leje, uzurpimet e pronës publike, prishja e zbulimeve arkeologjike, rrënimi dhe zhdukja e tyre, janë vetëm një imtësi në arsenalin e veprimeve kundër ligjore që kemi bërë këtyre viteve. Ka disa ndryshime të vogla pozitive, por ato janë shumë pak për të treguar seriozitetin në trajtimin e kësaj problematike.

Ka shumë për të thënë për trashëgiminë kulturore dhe trajtimin e saj nga vet ne shqiptarët në shekullin XXI. thelbësore është që qasja ndaj kësaj problematike rrënjësisht duhet ndryshuar, përpara se të shkatërrojmë çdo gjë.

Ajo është një pasuri e çmueshme me vlera të mëdha që popujve tjerë iu mungon.

 Investimet e mençura në turizmin kulturor vetëm do të ngrinte vlerën e kësaj pasurie shtetërore. Për këtë duhen bërë përgatitje profesionale të përcjella me legjislacionin e përshtatshëm dhe me monitorim konstant në procesin e mirëmbajtjes dhe shfrytëzimit të atyre vlerave.

Është mundësia  e fundit për të  ndryshuar mendësinë tonë naive, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë. Pasuria materiale shkon e vjen e ne na mbesin pasojat e veprimeve abuzive të një kohe të brishtë. Kush na ka faj për këtë, përveçse vetë ne?

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>