Prokurorja e Përkohshme e Përgjithshme Arta Marku do të përballet sot me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit në kuadër të procesit të vetingut.
Trupa që do të zhvillojë sot seancën dëgjimore me prokuroren Marku përbëhet nga Genta Tafa, Pamela Qirko dhe Suela Zhegu.
Arta Marku është pjesë e listës prioritare të vetingut jo vetëm për shkak të rolit si PPP, por dhe për faktin se më parë kishte aplikuar të qenë pjesë e Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Arta Marku e ka nisur karrierën në vitin 2002 në prokurorinë e Fierit ku ka punuar për një vit. Më pas, zonja Marku ka punuar në Shkodër në pozicione të ndryshme si prokurore, zëvendës drejtuese e Prokurorisë dhe drejtuese e Task-Forcës për hetimin e krimit ekonomik. Në dhjetor 2017, në shkelje të Kushtetutës, Arta Marku u zgjodh nga shumica socialiste Prokurore e Përkohshme e Përgjithshme.
Sipas analizës së deklaratave të pasurisë bërë nga BIRN, Arta Marku, në vitin 2003, nuk zotëronte fare pasuri. Ndërsa në vitin 2017, pasuria e familjes së prokurores ka arritur vlerën e 5,45 milionë lekëve.
Arta Marku ka në pronësi një apartament 103 metër katrorë në qytetin e Shkodrës me vlerë 5 milionë lekë dhe gjendje cash në vlerë 450 mijë lekë.
Për të blerë apartamentin, Arta Marku dhe bashkëshorti i saj kanë marrë një kredi bankare në vlerë 6,7 milionë lekë.
Rreth 61,8 për qind e të ardhurave të familjes vjen nga paga e prokurores, ndërsa rreth 35,3 për qind nga paga e bashkëshortit.
Nga analiza e pasurisë së BIRN, ka paqartësi lidhur me deklaratën e pasurisë së vitit 2015, ku për herë të parë bashkëshorti i Arta Markut ka deklaruar se zotëron një të katërtën e një apartamenti, për të cilën prokurorja nuk ka sqaruar origjinën ose burimin e parave.
Ndërkohë lidhur me vlerësimin e aftësive dhe figurës së prokurores Arta Marku, Exit ka shkruar më gjatë këtu.