Tom Ndreca, gjykatës në Gjykatën e Lartë, do të përballet sot me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit në kuadër të procesit të vetingut.
Trupa gjykuese që do të zhvillojë sot seancën me Ndrecën përbëhet nga Brunilda Bekteshi, Roland Ilia dhe Firdes Shuli.
Tom Ndreca ka punuar në Gjykatën e Apelit në Tiranë për 20 vjet. Më pas ka qenë anëtar i Kolegjit Zgjedhor dhe që prej vitin 2013 është anëtar i Gjykatës së Lartë.
Tom Ndreca mbahet mend si gjyqtari që në vitin 2011 drejtoi në Kolegjin Zgjedhor çështjen e numërimit të votave për Bashkinë Tiranë, në garën mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës. Kolegji Zgjedhor me në krye Ndrecën rrëzoi kërkesën e PS-së për të numëruar disa vota të hedhura në kutinë e gabuar, vendim ky që shpalli fitues Lulzim BAshën.
Po ashtu, Ndreca ka qenë dhe relatori i çështjes së 21 janarit dhe çështjes së Tahiri për bllokimin e pashaportës së ish-ministrit.
Sipas analizës së deklaratave të pasurisë bërë nga BIRN, në vitin 2003 kur Tom Ndreca ka bërë për herë të parë deklarimin e pasurisë, familja e gjyqtarit kishte pasuri në vlerën e 5,7 milionë lekëve.
Kjo pasuri konsistonte në dy apartamente banimi në Tiranë dhe një makinë.
Në fund të vitit 2017, pasuria e familjes Ndreca ka kapur vlerën e 22.8 milionë lekëve, duke u rritur katër herë.
Kjo pasuri konsiston në katër apartamente me vlerë totale 15,4 milionë lekë; një makinë me vlerë 200 mijë lekë. 6,9 milionë lekë në bankë dhe 300 mijë lekë kursime në formë cash.
Rreth 45 për qind e të ardhurave të familjes Ndreca përbëhet nga paga dhe shpërblime të gjyqtarit, ndërsa pjesa tjetër nga pagat e familjarëve.
Nga kontrolli aritmetik e logjik bërë nga BIRN, në deklaratat e Ndrecës ka disa “flamuj të kuq”.
Për shembull, në deklaratën e vitij 2005, një shumë prej 250 mijë lekësh nuk justifikohet nga të ardhurat. Ndërsa në vitin 2009, Ndreca ka deklaruar se ka marrë hua në vlerën e 900 mijë lekëve nga vëllezërit dhe motrat emigrantë për plotësimin e parave në blerjen e një apartamenti që në vitin 2003. Nga këto hua, gjyqtari ka shlyer vetëm 400 mijë lekë.