Gjyqtari i Gjykatës së Tiranës Bledar Abdullai po përballet sot me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit në kuadër të procesit të vetingut.
Trupa e përbërë nga Genta Tafa, Pamela Qirko dhe Suela Zhegu ka gjetur pasaktësi në deklarimin e pasurisë së gjyqtarit Abdullai, i cili është kandidat për Këshillin e Lartë Gjyqësor.
Kështu, pasuria e familjes së gjyqtarit Abdullai përbëhet nga një apartament 59 metra katrorë në Berat, në pronësi të babait të gjyqtarit; një apartament 118 metra katrorë në Tiranë, në pronësi të bashkëjetueses së tij; një apartament 93 metra katrorë në Golem, sërish në në emër të bashkëjetueses, një garazh 14 mijë euro dhe një makinë 1 milionë lekë po në emër të bashkëjetueses, dhe disa llogari bankare në vlerën 1 mijë dollarë, 1700 dollarë dhe 1001 dollarë.
Për të gjitha këto pasuri, bashkëjetuesja e gjyqtarit nuk ka paraqitur burimet e të ardhurave. Sipas KPK-së, janë të paktën 9 milionë lekë që bashkëjetuesja e Abdullait nuk i justifikon me burime të ligjshme.
Nga ana profesionale, ka një denoncim për gjyqtarin Abdullai lidhur me një proces civil të filluar në vitin 2004 dhe të zvarritur për dy vjet. Po ashtu, për një të arrestuar që akuzohej për trafik droge, gjyqtati Abdullai ka dhënë masë sigurie “arrest shtëpie”, vendim të cilin Gjykata e Apelit e rrëzoi dhe vendosi masën “arrest me burg”.
Gjyqtari Abdullai e ka nisur karrierën në vitin 2000. Prej më shumë se 15 vitesh ai ka punuar në Gjykatën e Rrethit gjyqësor Tiranë.
Vendimi për konfirmimin në detyrë apo jo të gjyqtarit do të merret në ditët në vijim.