Manjola Xhaxho, gjyqtare në Gjykatën e rrethit Tiranë është gjyqtarja që do të përballet sot me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, në kuadër të procesit të vetingut.
Seanca dëgjimore për gjyqtaren Xhaxho do të zhvillohet në orën 11:00 dhe trupi gjykues përbëhet nga Etleda Çiftja, Xhensila Pine dhe Valbona Sanxhaktari.
Zonja Xhaxho është pjesë e listës prioritare të vetingut pasi është kandidatë për Këshillin e Lartë Gjyqësor.
Manjola Xhaxho e ka nisur karrierën në vitin 2002 në të njëjtën gjykatë ku punon dhe sot, në atë të rrethit gjyqësor të Tiranës. Për tre vjet ajo ka punuar dhe si këshilltare ligjore pranë Gjykatës së Lartë.
Po sot, KPK do të shpallë dhe vendimin për anëtarin e Gjykatës Kushtetuese Fatmir Hoxha.
Deri më tani, vetëm gjykatësja Vitore Tusha dhe prokurorja Fatjona Memçaj kanë kaluar vetingun dhe janë konfirmuar në detyrë.
Besnik Ymeraj dha dorëheqjen, por u referua nga KPK në Prokurori, ndërsa Fatos Lulo, Besnik trezhnjeva, Besa Nikëhasani dhe Altina Xhoxhaj u shkarkuan për mosjustifikim të pasurisë.
Ndërkohë të tjerë gjykatës e prokurorë kanë dhënë dorëheqjen pa kaluar fare nën procesin e vetingut. Për më shumë për dorëheqjet dhe për anëtarët e sistemit të drejtësisë të larguar që pas miratimit të reformës në drejtësi mund të lexoni këtu dhe këtu.