Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkoi nga detyra Kryetarin e Gjykatës së Kurbini, Alfred Gjoni. Vendimi u mor nga trupi gjykues i përbërë nga Etleda Çiftja, Roland Ilia dhe Firdes Shuli.
KPK gjeti probleme në deklarimin e pasurisë së gjyqtarit. Sipas relatorit Roland Ilia, Zoti Gjoni kishte bërë deklarime kontradiktore të pasurisë. Gjyqtari pati probleme edhe me aftësinë profesionale, pasi ai kishte zvarritur çështje për vite, madje në relacion është cilësuar që një gjyq i tij kishte zgjatur katër vjet.
Gjithashtu KPK ka shkarkuar dhe kryetarin e Gjykatës së Shkodrës, Arben Zefi. Ai kishte paraqitur dorëheqjen e tij ditën e enjte, por sipas trupës gjykuese të përbërë nga Firdes Shuli, Roland Ilia dhe Etleda Çiftja, vendimi ishte marrë ditën e mërkurë. Gjyqtari Zefi nuk arriti të justifikonte pasurinë dhe u akuzua se kishte fshehur pasurinë. Sipas raportit të DSIK-së, gjyqtari Zefi kishte dhe kontakte të papërshtatshme.
KPK konfirmoi në detyrë prokuroren e Prokurorisë së Përgjithshme Alma Muça. Vendimi u mor nga trupa gjykuese e përbërë prej Suela Zhegut, Brunilda Bekteshit dhe Valbona Sanxhaktarit. KPK nuk gjeti probleme në kriteret e vetingut. Megjithatë trupa gjykuese ka transferuar çështjen e njohur si “Masakra e Çoles” drejt organit kompetent për vlerësimin e saj periodik.