Alma Liçaj, kryetare e Gjykatës së Apelit të Vlorës do të përballet sot me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit në kuadër të procesit të vetingut.
Trupa gjykuese e KPK-së përbëhet nga Xhensila Pine, Lulzim Hamitaj dhe Olsi Komici.
Që prej vitit 2000, gjyqtarja Liçaj ka punuar si gjyqtare në Gjykatën e Shkallës së Parë të Vlorës. Në vitin 2009 ajo u komandua kryetare për Gjykatën e Apelit të Vlorës.
Sipas analizës së pasurisë ndër vite, bërë nga BIRN, gjyqtarja Liçaj, në vitin 2003, ka deklaruar pasuri në vlerën e 7,5 milionë lekëve. Kjo pasuri konsistonte në një banesë 3-katëshe me sipërfaqe 300 metra katrorë me vlerë 5 milionë lekë, një apartament banimi me vlerë 2 milionë lekë si dhe një automjet në vlerën e 500 mijë lekëve.
Në vitin 2017, pasuria e familjes Liçaj u rrit me 4,5 herë, duke arritur në vlerën e 32,8 milionë lekëve, ku pjesa më e madhe përbëhet nga pasuri të paluajtshme me vlerë 28,5 milionë lekë. Ndërkohe familja e gjyqtares ka dhe 3.1 milionë llekë automjetë, kursime 3,9 milionë lekë cash dhe 49 mijë lekë kursime në bankë.
Pjesa më e madhe e të ardhurave, 63 për qind ka ardhur nga paga e gjyqtares, 14 për qind e të ardhurave nga paga e bashkëshortit dhe 22 për qind janë fitime nga shitja e automjeteve.
Disa nga ‘flamujt e kuq’ që BIRN ka nxjerrë nga kontrolli aritmetik dhe logjik i deklaratave të pasurisë janë dy deklarata ndër 14 të bëra në vite, që rezultojnë me mungesë burimesh financiare.
Deklarata e vitit 2009 rezulton me mungesë burimesh për pasurinë e shtuar në vlerën e 1.2 milionë lekëve, ndërsa për vitin 2016 rezulton me një diferencë të vogël negative prej 9 mijë lekësh.
Po ashtu, gjyqtarja ka përfituar pasuri të vlefshme përmes kontratës së dhurimit apo trashëgimisë. Vetëm në vitin 2016, bashkëshorti i gjyqtares ka përfituar përmes kontratave të dhurimit dy njësi me sipërfaqe 43 dhe 95 metra katorë, si dhe një garazh me sipërfaqe 35 metra katorë, ndërsa gjyqtarja Liçaj ka fituar 25 për qind të një apartamenti si trashëgimi nga babai.
Ndërkohë familja Liçaj ka përfituar 5,8 milionë lekë nga blerja dhe shitja e 7 automjeteve.