Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka marrë sot vendimet për tre magjistratë: dy prokurorë dhe një gjyqtar, në kuadër të procesit të vetingut.
KPK shkarkoi sot nga detyra kryetarin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pukë, Izet Kadana. Vendimi u mor nga Lulzim Hamitaj, Xhensila Pine dhe Firdes Shuli.
Kreu i Gjykatës Izet Kadana rezultoi me pasuri të pajustifikuara, me lidhje familjare me persona të dyshuar për aktivitet të krimit të organizuar, si dhe me probleme me etikën në punë për rastin e punësimit të bashkëshortes në prokurorinë e Pukës.
KPK konfirmoi në detyrë Prokurorin e Prokurorisë së Përgjithshme Alfred Progonati, pas vetingut në të tre kriteret. Trupa e KPK-së e përbërë nga Genta Tafa, Pamela Qirko dhe Xhensila Pinen, nuk gjeti probleme në pasurinë e Progonatit, ndërsa ai u vlerësua si i aftë profesionalisht dhe rezultoi me figurë të pastër.
KPK konfirmoi në detyrë dhe Drejtuesen e Prokurorisë së Beratit Eloida Goxhi. Vendimi u mor nga Xhensila Pine, Suela Zhegu dhe Brunilda Bekteshi.
Nga hetimet e KPK-së ajo rezultoi me pasuri të ligjshme, pa kontakte të papërshtatshme dhe e aftë profesionalisht. Megjithatë Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi të dërgojë për inspektim një nga dosjet e hetuara nga zonja Goxhi.