Policia po ndërmerr masat për çdo situatë që mund të ndodhë në protestën e sotme për vrasjen e 25-vjeçarit Klodian Rasha.
Protesta është paralajmëruar në orën 18:00, ndërsa pak orë para nisjes, dhjetëra furgonë policie, autoblinda dhe autobotë me pompa uji janë parë të vendosen pranë kryeministrisë.
Rreth 800 policë pritet të jenë në gatishmëri gjatë tubimit sipas “News 24”.
Protesta pritet të nisë para Ministrisë së Brendshme dhe më pas të zhvendoset drejt kryeministrisë, një itinerar i ngjashëm me atë të ditës së djeshme ku për 5 orë u kërkua dorëheqja e ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj.
Thirrjet kundër ministrit dhe qeverisë u shoqëruan edhe me tensione dhe përplasje, kryesisht përpara kryeministrisë ku protestuesit sulmuan derën e godinës por më vonë u zbrapsën nga forcat speciale të cilat përdorën gaz lotësjellës.
Në të njejtën orë që qytetarët do të jenë në bulevard duke protestuar pritet edhe dalja e kryeministrit Rama i cili ka paralajmëruar se do të shprehet për ngjarjen në orën 18:00.
Klodian Rasha u ekzekutua nga një efektiv policie të martën pak orë pas mesnatës në zonën e Laprakës.
Sipas të dhënave të policisë i riu po kryente veprime të dyshimta dhe nuk ka respektuar urdhërin e policisë për të ndaluar.
Ai ka vrapuar për t’i shpëtuar policisë. Ndërkohë policia raporton se 25 vjeçari dyshohet se ishte i armatosur.
Pas disa orësh nga ngjarja, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm (SHÇBA) njoftoi se policia kishte gjetur një armë në një rrugicë ku kishte kaluar viktima.
Oficeri i policisë u arrestua pas ngjarjes dhe akuzohet për vrasje në kapërcim të mbrojtjes së nevojshme.