Kushtetuta garanton se ‘jeta e çdo shtetasi mbrohet me ligj’. Kushtetuta e ngarkon shtetin me përgjegjësinë të sigurojë jetën e personit nga çdo rrezik i mundshëm, nëpërmjet parashikimeve ligjore.
A ka detyrim shteti të ndërmarrë veprime në rastin e fatkeqësive natyrore si tërmeti? Sigurisht. Ky detyrim është mishëruar në ligje, vendime qeverie, urdhëra e udhëzimeve të institucioneve shtetërore. Thënë më thjesht, çdo ndërtim duhet të jetë i garantuar të mos shembet për çdo lloj shkaku, qoftë tërmet.
A mund të mbahet fajtor qytetari që ka blerë një apartament të regjistruar ligjeërisht në hipotekë? Padyshim që jo.
Po kush është fajtor atëherë? Shkurt, rregjistrimi në hipotekë bëhet pas marrjes së lejes së shfrytëzimit. A mban përgjegjësi kryetari i bashkisë dhe zyrat që kanë dhënë lejen e shfrytëzimit? Po ai që ka dhënë lejen e ndërtimit? Po ndërtuesi që ka bërë projektin? Po inxhinieri specialist që e ka certifikuar truallin si të vlefshëm për t’u ndertuar?
Është e qartë se nuk ka ndonjë vështirësi për të shkuar tek rrënjët e pergjegjesisë dhe fajtorët.
Njerëzit kanë vite që po ulërasin kundër politikës, e sidomos kundër shumicës qeverisëse. Kultura e pandëshkueshmërise, tashmë mentalitet i ngulur edhe në kokën e qytetarit, është kthyer në një nxitës të vyer për të abuzuar e përfituar, jo vetem pa masë, por edhe dhunshëm nga pushtetmbajtësit.
Përse qeveria nuk propozon nje ligj te vecante për të lehtësuar dhe forcuar masat, për të hetuar dhe për të gjetur përgjegjësitë tek kryetarët e bashkive, zyrat e urbanistikës ligjore, ALUIZNI-t apo anëtarëve të qeverisë, përfshirë dhe Këshillin Kombëtar të Rregullimit të Territorit?
Nuk do ti kushtonte asgjë qeverisë nëse në këtë moment do të rriste numrin e oficerëve të policisë gjyqësore pranë prokurorive, për të thelluar e përfunduar sa më shpejt procesin e hetimit dhe gjykimit të veprave penale. Është një masë e thjeshtë dhe nuk kushton më shumë se 300-400 mijë euro.
Po a ka gjasa të bëhet? Jo. Për një arsye të thjeshtë. Hetimi penal në fushën e ndërtimit, rrezikon të zbulojë rrënjët e thella të korrupsionit në fushën e ndërtimit.
Politika me djallëzinë e saj, synon jo vetëm ta mbulojë, por edhe të largojë vëmendjen e opinionit, duke monopolizuar informacionin dhe duke manipuluar me masa në letër: duke shpallur se do të miratojë një ligj të rreptë, i cili do t’i dënojë përgjegjësit me 7-15 vjet burg. Popullit i krijohet ideja sikur ky burg do të vlejë për të gjithë fajtorët përgjegjës në këtë katastrofë, por politika e di se ky ligj, sipas të drejtës penale, nuk i shtrin efektet tek fajtorët e sotëm, dhe nëse do të vlejnë, do të vlejnë vetëm për të ardhmen.
Një tjetër arbitratitet për t’i mbuluar rrënjët e korrupsionit në fushën e ndërtimit është shembja me shpejtësi e ndërtesave të rrënuara. Nxitimi për t’i shembur pa filluar hetimi, pa u marrë provat, është i qartë. Shembja shërben pikërisht për të mbuluar rrënjët e thella të korrupsionit.
Në pamje të parë shpejtësia për të nxjerrë një ligj shumë të rreptë dhe nxitimi për të shembur ndërtesat krijon tek qytetari i thjeshtë idenë e një eficence dhe përkujdesjeje të madhe dhe angazhimi serioz. Ne fakt, është pikërisht e kundërta.
Thjesht, ç’punë prishin ndërtesat që tashmë janë të shembura? Pse duhet të zhduken para fillimit të hetimit? Vërtet është hartuar kuadri ligjor, dokumentacioni administrativ dhe praktika për të filluar ndërtimin brenda 1 jave apo 10 ditësh? Pse nuk lihet kohë për të hetuar? Pse nuk merren masat për të mbështetur prokurorinë, të veprojë me shpejtësi dhe eficencë?
Nga ana tjetër pa asnjë lloj analize social-kriminologjike, po flitet për ligj të ri me masë 7-15 vite burg. Ç’do të thotë një masë penale kaq e rëndë? Kush e përcakton? Po Kuvendi, ky që është, a është shprehur për të?
Injorimi i organit kompetent, ligjvënësit përgjegjës për ndryshimet në kodin penal, dhe vendimarrja drastike në duart e ekzekutivit, jo vetëm pasqyrojnë vërtetësinë e mosekzistencës së shtetit ligjor, por në thelb bëhen për t’iu shmangur përgjegjësive penale e civile që ka qeverisja—duke mbuluar rrënjët e korrupsionit në fushën e ndërtimit.
Një formë tjetër e shmangies së përgjegjësisë madje e mbrojtjes së fajtorëve është deklarimi se fajtorët duhet të rikuperojnë dëmin, pra, duhet të paguajnë, ndryshe do të shkojnë në burg.
Ç’është kjo fuqi prej Zeusi që eklipson drejtësinë, duke paradhënë vendimin e gjykatës, dënimin në para dhe shmangien e burgut.
Shihet qartë se e gjithë politika është vënë në shërbim të mbrojtjes së fajtorëve, që në thelb është mbrojtja e veprimtarisë kryesore kriminale në vend, pastrimit të parave të trafiqeve dhe korrupsionit përmes ndërtimit.
Solidariteti dhe dhimbja njerëzore kanë qenë dhe janë aq të mëdha, sa kanë tronditur shpirtin dhe vëmendjen e çdo qytetari, me përjashtim të kriminelëve, të cilët jo vetëm nuk ndjejnë përgjegjësi, por janë të qetë e të mbrojtur.
Qytetarët, solidaritetin dhe dhimbjen do ta ndjejnë për një kohë të gjatë dhe për pasojë, përqendrimi i tyre te shkaku i vërtetë i vdekjes dhe shkatërrimit, do të mbeten të një rëndësie dytësore.
Intelektualët, ekspertët dhe politikanët opozitarë kanë rastin të provojnë me kontributin e tyre konkret, se janë kundër krimit dhe pro shtetit ligjor, pro mbrojtjes së jetës së shtetasve, ashtu siç sanksionon Kushtetuta.