Partia Demokratike akuzon qeverinë dhe politikat e saj për vrasjen e 25-vjeçarit nga Policia.
Ish-deputeti, Enkeled Alibeaj në një deklaratë për shtyp, tha se i riu vrapoi për t’i shpëtuar gjobës apo sjelljes brutale të policisë dhe se ai nuk përbënte rrezik për policinë.
Ai akuzoi gjithashtu Policinë e Shtetit se me njoftimet zyrtare po mundohet të fshehë të vërtetën me justifikime që sipas tij janë të denja për një bandë.
Alibeaj i bëri thirrje prokurorisë që të zbardhë të vërtetën ndërsa arrestimin e efektivit të policisë e cilësoi “sa për sy e faqe” dhe që shërben “vetëm që regjimi i Edi Ramës të blejë kohë.”
“Policia që vret një të ri në Ditën e Rinisë është modeli më i keq i Policisë së Shtetit. Sot vrasësi i të riut nuk është efektivi i policisë, por Edi Rama dhe Sandër Lleshaj, me politikën e tyre qeveritare të armiqësimit të Policisë me qytetarët dhe bashkëpunimit të Policisë me bandat.”, tha ndër të tjera Alibeaj.
Përfaqësuesi i Partisë Demokratike vijoi më tej duke akuzuar kryeministrin Rama se në 8 vite sipas tij ka ngritur modelin e një policie që nuk lufton krimin por “burgos, gjobit dhe vret qytetarët”.
“Kjo nuk është arsye se përse ekziston Policia e Shtetit. Kjo është një politikë e gabuar, që e armiqëson Policinë me qytetarët. Prandaj, edhe Edi Rama e mbron Sandër Lleshajn, duke mos e shkarkuar!”, shtoi Alibeaj.
25 vjeçari Klodian Rasha është ekzekutuar nga policia, rreth orës 01:45 pas mesnate për shkak se nuk iu bind urdhërit të tyre për të ndaluar.
Nga hetimet paraprake të SHÇBA është dalë në përfundimin se dyshohet se veprimet e punonjësit të Policisë bien në kundërshtim me procedurat standarde të përdorimit të armëve të zjarrit.