Prokuroria mbyll hetimet për vrasjen në zonën e ish-Bllokut në Tiranë në tetor 2018. Prokuroria ka akuzuar Ervis Martinajt për krijim kushtesh për të kryer vrasjen, fshehje e të ardhurave, falsifikim pasaportash dhe organizim lojrash fati.
Në shkurt 2020, prokuroria dërgoi në gjykatë 4 të akuzuar për vrasjen e Fabian Gaxhës në zonën e ish-Bllokut, ku u përfshinë Ervin Mata, Marviol Bilo, Elion Hado dhe Ervis Martinaj.
Më 4 tetor 2018 pas një përplasje me armë në një lokal në zonën e ish-Bllokut, mbeti i vrarë Fabian Gaxha ndërsa u plagosën Elion Hado dhe Ervis Martinaj.
Pas ngjarjes Martinaj u mbajt në paraburgim për 7 muaj.
Një person u vra dhe dy të tjerë u plagosën në tetor 2018 në një nga zonat më të populluara të Tiranës, në ish-Bllok.
Ngjarja ndodhi rreth orës 21:00 ku pas një përplasje në një lokal mbeti i vrarë Fabian Gaxha, (28 vjeç), mik i Ervis Martinajt, (36-vjeç), i cili u plagos bashkë me Elion Hadon (28 vjeç).
Fillimisht, Gaxha, Martinaj dhe Hado thuhet se janë konfliktuar me autorin e vrasjes, i cili mendohet se është një ish-punonjës i Gardës. Më pas dy palët kanë filluar të gjuajnë me armë drejt njëri-tjetrit. Sipas policisë, dyshohet se janë përdorur tre armë.
Gaxha, Martinaj dhe Hado nuk janë emra të panjohur për policinë.
Martinaj ishte njëri prej të dyshuarve kryesorë për vrasjen e Enton Nikës në nëntor 2015, e ndodhur në një parkim makinash në zonën e Linzës.
Videoja ku dukej bashkë me 5 persona të tjerë teksa godisnin me grushte dhe armë Enton Nikën u bë publike menjëherë pas vrasjes por nuk ndikoi në dënimin e tij.