Vuçiç kërcënon Kosovën me masa ekonomike dhe politike

Nga Exit News
Vuçiç kërcënon Kosovën me masa ekonomike dhe politike

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç kërcënoi me masa ekonomike dhe politike qeverinë e Kosovës pas vendimit të saj për të mos lejuar qarkullimin e automjeteve me targa serbe.

Për Vuçiç vendimi i Prishtinës është “ilegal” dhe në kundërshtim me Marrëveshjen e Brukselit mes dy vendeve ndërsa njoftoi se për situatën e krijuar do të thërrasë një mbledhje të Këshillit të Sigurisë së Serbisë.

“Shpresoj se nuk do të na duhet të marrim masat tona, si ekonomike ashtu edhe politike, sepse kjo nuk do të ishte mirë për të gjithë rajonin, veçanërisht për marrëdhëniet tona me Prishtinën”, tha Vuçiç, raporton REL.

Të hënën autoritetet kosovare vendosën që automjetet me targa serbe duhet të pajisjen me targa të përkohshme në pikë-kalimet kufitare të Kosovës. Në të kundërt ato nuk do të lejohen të qarkullojnë në Kosovë.

Vuçiç dënoi si “brutale” edhe ndërhyrjen e focave të rendit ndaj qytetarëve serbë të cilët protestuan kundër vendimit dhe bëri thirrje që ato të vijojnë në mënyrë paqsore.

Ai tha se ka diskutuar për situatën me Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrel.

SHBA dhe BE kanë bërë thirrje për vetëpërmbajtje dhe ulje të tensioneve nga Serbia dhe Kosova.

Qeveria e Kosovës argumentoi vendimin se ishte sjellje reciproke, pasi edhe automjeteve me targa kosovare iu kërkohet t’i ndryshojnë në pikat kufitare me Serbinë.

Ministri i Punëve të Brendshme në Kosovës, Xhelal Sveçla ka thënë se situata e sigurisë në Kosovë është e qetë dhe se policia ka ndërmarrë gjitha masat që të mos pengohet lëvizja e lirë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>