Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç tha se të gjitha marrëveshjet me Kosovën, të nënshkruara në Bruksel, duhet të zbatohen, por jo “në përputhje me rregulloret e Kosovës”, sepse, sipas tij, “nëse gjithçka shikohet në këtë mënyrë, që të jetë në përputhje me rregulloret e Prishtinës ose Beogradit dhe të mos ndryshohet asgjë”, atëherë “është e pamundur të arrihet ndonjë kompromis”, raportoi Radio Evropa e Lirë.
“Kemi negociuar, sepse jo gjithçka është në përputhje me rregulloret. Mesazhet e Prishtinës shpesh nuk janë të qarta për mua, sepse nuk janë racionale”, iu përgjogj Vuçiç interesimit të gazetarëve për zbatimin e marrëveshjes së Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë është paraparë me Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013, të arritur në dialogun Kosovë-Serbi.
Marrëveshja e asociacionit e firmosur në 2015, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian u gjet antikushtetuese nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës. Gjykata u shpreh se këto mospërputhshmëri kushtetuese mund të harmonizohen me një akt ligjor të qeverisë së Kosovës.
Gjatë bisedimeve të tanishme, Kosova u shpreh se nuk dëshiron ta hapë më çështjen e Asociacionit, ndërsa Serbia insiston që të bisedohet për të.