Presidenti serb Aleksandër Vuçiç tha të mërkurën se ftesa e kryemministrit Kurti për heqje reciproke të targave të përkohshme është një përpjekje që synon që Serbia të njohë Kosovën si të pavarur dhe vuri në dukje se Prishtina duhet të rivendosë rregullat që kishin ekzistuar para shtatorit 20 para se të fillonte dialogun për këtë çështje.
Gjatë një vizite në Hungari, Vuçiç theksoi se qëndrimi i tij për situatën e krijuar nuk do të ndryshojë pavarësisht ndërmjetësuesve.
“Ne i kemi përmbushur detyrimet, ndërsa Prishtina jo, dhe kjo është më e rëndësishmja. Edhe Shën Pjetri të më telefonojë, nuk do të ma ndryshojë mendjen, pasi zgjidhja e vetme është tërheqja e njësive speciale, në të kundërt nuk ka dialog”, tha Vuçiç, raporton B92.
Interesi i kryeministrit Kurti pas vendosjes së masave të reciprocitetit është të shtyjë Serbinë drejt njohjes së Kosovës, sipas Vuçiçit.
“E kuptoni se çfarë po flet ai? Po flet për njerëz që nuk janë të njohur me faktet dhe po shet mjegull…Ai thotë se do t’i heqë masat kur Serbia të njohë Kosovën e pavarur”, u shpreh presidenti serb.
Vuçiç shtoi se njohja e Kosovës është gjithashtu në interesin e vendeve më të fuqishme të Bashkimit Europian.
“Interesi i vendeve më të forta evropiane është një Kosovë e pavarur dhe të detyrojë Serbinë të marrë pjesë në atë që ne nuk duam”, deklaroi presidenti serb.
Kryeministri Kurti propozoi të mërkurën që Kosova dhe Serbia të heqin bashkarisht targat e përkohëshme për automjetet që lëvizin mes dy vendeve.
Ai ftoi serbët e Kosovës të hiqnin barriadat e vendosura në rrugët kufitare, pasi përshkallëzimi nuk ishte në interesin e askujt.
Bllokimi i rrugëve nga komuniteti serb erdhi pasi qeveria e Kosovës nisi të zbatojë të njëjtën masë që zbaton Serbia ndaj makinave me targa të Kosovës: pajisjen në kufi me targa të përkohshme kur makina hyn në vendin fqinj.
Serbia e ka zbatuar një masë të tillë ndaj makinave nga Kosova që kur kjo shpalli pavarësinë në vitin 2008.