Zbulimi i “Konakut të Princit”

Nga Artan Rama
Zbulimi i “Konakut të Princit”

Një takimi i favorshëm

Punimet janë ndërprerë dhe arkeologët kanë hyrë në sheshin e ndërtimit! Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë, një organ kolegjial me ekspertë dhe me vendimmarrës ka pranuar t’i zgjerojë gërmimet. Dyshimet se rrënojat e zbuluara të ndërtesës osmane janë njëkohësisht, themelet mbi të cilat qëndronte rezidenca e Vidit, njëqind vjet më parë janë vërtetuar.

Më në fund, era po fryn në drejtimin e duhur në sheshin në hyrje të portit në Durrës, ku qysh prej disa muash, po punohet për ndërtimin e një shëtitoreje.

Në Tiranë, znj. Kumbaro pranon të takohet me disa aktivistë.

Një dëgjesë e vonuar

Aktivistët përshkruan korridorin me tavan të ulët që shtrihej përgjatë gjithë planimetrisë së katit përdhe dhe hynë në sallë. Karriget ishin të thjeshta e të pakta, kështu që një pjesë qëndroi në këmbë. Disa kishin mbërritur direkt nga Çadra në Bulevard. Lart, në pjesën e sipërme të mureve ishin kapur dy kondicionerë të rëndomtë. Mbi tavolinë, projektori hidhte dritë mbi hartën ortografike të zonës A arkeologjike të Durrësit.

Ndonëse prej dy vitesh, ndërtesa e ish Kinostudios është shndërruar në godinën e re të ministrisë së Kulturës, boja e freskët mbi fasadë dhe oborri i sistemuar nuk ia kanë kthyer shkëlqimin këtij institucioni, që për dyzet vjet propagandoi aksionin e regjimit të shkuar.

Me një elokuencë të përshtatshme për të tilla raste, znj. Ministre filloi prezantimin…

Duhet të jesh një dëgjues i paanshëm që një ligjëratë të tillë ta konsiderosh një fjalim të zakonshëm. Për disa fjalimi ishte i panevojshëm. Të tjerë u përpoqën të  kuptonin më shumë, ndërsa një pakicë, as nuk e dëgjoi.

Le ta themi se ishte një dëgjesë publike. Ose, pikërisht, mënyra sesi ajo nuk duhej bërë! Të pranishmit ndodheshin përpara faktit të kryer, ndodheshin përpara autoritetit dhe ajo çka më duket më e rëndësishme për ta theksuar: një çështje që kërkonte ekspertizë, të cilën, fatkeqësisht, jo të gjithë e zotëronin!

Burokratët në administratë e rrezikojnë vendimmarrjen e shëndoshë ndaj dhe kundërargumentat duhen ballafaquar me kompetencë. Qytetarët aktivë duhen të pajisen me njohuri për çështjet e trashëgimisë.  Dhe këtu, ministria e kulturës, ministri, shteti kanë përgjegjësi. Jo vetëm që nuk informohet, por qëllimi është të fshehësh. Teknikat e manipulimit janë të stërholluara.

“Gjithçka që ne prodhojmë, publikohet online. Vendimet e KKA-së, ato të KKR-së, të gjitha publikohen brenda javës që merren!”, thotë ministrja.

Por këto vendime janë shkresa burokratike; janë zbardhje të akteve të marra kohë më parë, në një rreth të ngushtë, atëherë kur askush nuk dinte gjë dhe tani, akoma më shumë, është e vështirë që dikush të mund t’i ndryshojë.

Për transparencën janë rrahur, janë arrestuar dhe më pas, paditur! Transparenca ndëshkohet më rëndë se vjedhja ndonjëherë!

Shqipëria, një vend me varfëri relative, nuk ka një trashëgimi transparence. Historia e shtetit komunist nuk le vend për shpresë. Më pas, një mbret i vetëshpallur, një princ i emëruar dhe hija shumëshekullore e një perandorie arabe në thellësi! Për transparencën flitet shumë, protestohet, por nuk respektohet!

Janë miliona euro e miliona dollarë që janë shpenzuar për projekte publike, miratimi i të cilave duhej të kalonte përmes dëgjesave publike, fatkeqsisht, të pakryera!

“Qytetërimi e ka jetën më të gjatë se individi” shpalli ministrja në sallë. Dhe ndihmësja e saj, një zonjushë e administratës, e shkrepi fotografinë në çastin e duhur…

“Është gjithmonë më përfituese për shoqërinë dhe për zhvillimin e vendit, që në vend të bësh një kilometër në infrastrukturë, të restaurosh një objekt të trashëgimisë kulturore, thotë kryeministri i vendit.

Për qytetërimin flasin të gjithë. Të gjithë e duan qytetërimin. Edhe Vangjush Dako, në emër të qytetërimit po gërmon në zonën A. Makineritë kanë shqepur kurrizin e rrugës dhe pilotat kanë depërtuar thellë, duke dëmtuar disa prej rrënojave.

Zbulimi i një simboli

Arkeologu Edi Shehu, profesori i asociuar që drejton gërmimet iu afrua projektorit. Të pranishmit në sallë u tendosën dhe vështrimet u përqëndruan në një pikë. Pamja tregonte një ortografi të zonës A arkeologjike.

Bastioni Osman

Falë traditës së shkëlqyer të kosmografëve mesjetarë dhe dëshirës së tregtarëve  venecianë për të vizatuar  e dokumentuar brigjet dhe tregjet me të cilat, ata bashkëpunonin, në arrijmë të shohim Durrësin e asaj kohe, përmes hartave dhe fotove, pikërisht atëherë kur rrënoja në fjalë, nuk ishte veçse themeli e një vepre të re, të sapo ngritur nga administratorët e dikurshëm të qytetit.

Përmes një përpjekje hulumtuese, ekipi i arkeologëve arrin të interpretojë gjetjet!

“Është një bastion osman i ngritur mbi dy shtresa arkeologjike. Vite më vonë, administrata ngriti godinën e Mytesarifit të qytetit e cila, në vitin 1914, kur Vilhelm Vidi mbërriti në Durrës, u bë rezidenca e tij”, thotë arkeologu Shehu, i cili prej  gjashtëmbëdhjetë vjetësh gërmon në Durrës.

Sipas historianëve, pas largimit të Princit ajo u rrënua e u plaçkit nga banorët, derisa bombardimet e luftës dhe tërmeti i vitit 1926 e shembi plotësisht.

Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë ka vendosur që gërmimet të vazhdojnë deri në daljen e plotë të planimentrisë së bastionit. Entuziazmi ka përfshirë ministrinë e Kulturës. Por është një entuziazëm i kontrolluar, ose i kufizuar! Njëlloj si vetë pushteti i ministrisë.

Punimet për Velierën vazhdojnë. Janë shtuar shtresa të reja betoni. Pilotë të rinj janë ngulur thellë në tokë…

Një fund i parashikuar

-Le të vijmë te kambana. -thotë Sazan Guri, duke përdorur një metaforë popullore. Pjesëmarrësit në sallë sikur përmenden. -Ju nuk duhet të ndërtoni në zonën A, znj. ministre! Ligji nuk i lejon ndërhyrjet.

-Jo. Ligji na lejon. Na lejohet të bëjmë rikonstruksion rrugësh dhe të përmirësojmë infrastrukturën rrugore. Ministrja lexon një fletore zyrtare…

– Dymbëdhjetë mijë metra katror beton, ju i konsideroni punime konstruksionesh?! Ju po ndërtoni një Velë gjigande prej betoni!

Disa ngrihen në këmbë. Aulon Kalaja i drejtohet ministres. –Ju ftoj të bashkoheni me ne për të mbrojtur Durrësin…përndryshe jep dorëheqjen!

…Por në këtë sallë të vogël askush nuk pranoi të tërhiqej nga mbrojtja për Durrësin! Mes replikave të zhurmshme, të gjithë pretenduan se po e mbronin qytetin. U duk si një trazirë e cila më pas, u shndërrua në protestë. Një pakicë lëshoi një shirit me ngjyra i cili e ndau sallën dhe palët në mes. Ministrja u ngrit dhe takimi mbaroi. Natyrisht, ky ishte një fund i pritshëm…

***

Dikush vetëm mund të imagjinojë entuziazmin që përfshiu banorët e Durrësit, kur Vilhelm Vidi udhëtoi drejt këtij vendi të vogël ballkanik në mars të 1914-tës. Pushteti i tij zgjati vetëm gjashtë muaj, por shteti shqiptar mbijetoi. Por në njëqind vjet e pak, asnjë gjurmë e kësaj mbretërie nuk rezistoi.

Kështu, tani që Edi Shehu dhe ekipi i tij i arkeologëve e rizbuloi Konakun e Princit, ose të parën rezidencë të monarkisë shqiptare, qytetarët e Durrësit, mund të ndihen më afër me qytetin e tyre të vjetër, më pranë me të shkuarën e tij. Këto rrënoja do t’u kujtojnë një periudhë të lavdishme, kur qyteti sapo ishte shpallur kryeqytet i shtetit të ri.

Por ky zbulim, mund t’u shërbejë edhe arkeologëve, për të treguar ndaj tyre, më shumë vëmendje se sa ndaj arkitektëve fluturues. Përndryshe, nëpër bulevardet e Rilindjes Urbane, armiqtë e trashëgimisë mund të shëtisin lirisht.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>