Plani i shumëdebatuar slloven mbi ndarjen e Bosnje-Hercegovinës, në fakt duket se propozon një rishikim të kufijëve në gjithë Ballkanin, sipas medias sllovene necenzurirano.
Kjo e fundit publikoi të enjtën një letër tjetër joformale të zbuluar, e cila flet për situatën në rajon dhe veçanërisht për “konfliketet e pazgjidhura të serbëve, shqiptarëve dhe kroatëve“.
Në letër thuhet se është e vështirë të shihet perspektiva europiane për Kosovën dhe Serbinë, ndërkohë që për Bosnjen as nuk bëhej fjalë për anëtarësim.
Theksohet gjithashtu se Turqia ka përfituar nga problemet e këtyre vendeve, sidomos Bosnje-Hercegovinës, për të rritur influencën e saj.
Disa nga zgjidhjet e propozuara janë:
– Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë;
– Bashkimi i Republika Srpska të Bosnjes me Serbinë;
– Bashkimi i komunitetit kroat në Bosnje me Kroacinë ose dhënia e një statusi të veçantë;
– Boshnjakët fitojnë pavarësinë dhe mund të zgjedhin me referendum nëse duan të ndjekin BE;
– Kjo e fundit të marr masa për një program ekonomik stabilizimi në rajon.
Propozohet që plani të diskutohet në mënyrë të heshtur me udhëheqsit e rajonit dhe ata ndërkombëtar e në rast aprovimi, të fillojë një fushatë komunikimi me grupet e ndryshme, për ta bërë atë të pranueshëm.
Zgjidhjet synojnë të përshpejtojnë anëtarësimin në BE dhe NATO të vendeve të rajonit.
Zbulimi i planit vjen pasi zëdhënësi i Komisionit Europian, Peter Stano, mohoi dijeni të martën mbi ekzistenën e tij.
Eurodeputetja sllovene Tanja Fajon, në një postim në Facebook e quajti dokumentin “një dëm shumë të madh për Slloveninë” dhe kërkoi nga KE që të sqaronte një herë e mirë pozicionin e Sllovenisë.