Ardian Dvorani është zgjedhur në shkelje të ligjit si anëtar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Kandidatura e tij nuk plotëson kushtet ligjore për t’u përfshirë në short e për rrjedhojë për të shërbyer si anëtar i KED-it.
Ligji për Organet e Drejtësisë përcakton se një magjistrant nuk duhet të jetë nën hetim penal, madje as nën hetim administrativ, që të përfshihet në shortin për anëtar të KED-it. Neni 221 përcakton:
“Mund të përfshihen në shortin për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi… vetëm nëse magjistrati ose gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese nuk është nën hetim ose nuk është dënuar më parë me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale”
Rreth 4 javë më parë, Presidenti Meta paditi Adrian Dvoranin për “shpërdorim detyre” dhe“përvetësimin e kompetencës së detyrës shtetërore” dhe prokuroria ka nisur hetimin bazuar në denoncimin. Dje, prokuroria ka marrë dëshminë e vetë Presidentit Meta në lidhje më çështjen dhe sot ka marrë në pyetje Dvoranin.
Sipas Kushtetutës dhe ligjeve një mandat i siguruar në shkelje të përcaktimeve ligjore është i pavlefshëm dhe nul. Për pasoja edhe vendimet e KED-it ku vota e tij është përcaktuese mund te konsiderohen të pavlefshme.
Adrian Dvorani u zgjodh automatikisht anëtar i KED-it për vitin 2020, duke qenë se ai është i vetmi anëtar i Gjykatës së Lartë i mbetur në detyrë. Gjyqtari tjetër Medi Bici, i konfirmuar nga vetingu, shërben si anëtar i KLGJ-së dhe për rrjedhojë mandat i tij në Gjykatën e Lartë është i pezulluar. Dvorani shërbeu si kryetar i KED-it edhe për vitin 2019.
Duke qenë se përfaqësuesi i Gjykatës së Lartë në KED është me përcaktim ligjor edhe kryetar i Këshillit, roli i Dvoranit në këtë institucion është më i rëndësishëm se i çdo anëtari tjetër. Për këtë arsye, perceptimi publik i figurës së tij është shumë i rëndësishëm për besueshmërinë e gjithë veprimtarisë së KED-it.
Përtej shkeljes së fundit në zgjedhjen e tij në KED, për Zotin Dvorani ekzistojnë një sërë dyshimesh serioze në lidhje me legjitimitetin dhe ligjshmërinë e qenies anëtar i Gjykatës së Lartë.
Sikurse ne kemi theksuar në një koment të mëparshëm, Adrian Dvorani nuk mund të shërbejë si gjyqtar pasi Ligji i Lustracionit ndalon ish-prokurorët e regjimit komunist të përfshirë në procese politike të shërbejnë në organet e sotme të drejtësisë. Zoti Dvorani ka qenë prokuror i një çështje ku disa qytetarë shkodranë u akuzuan për hedhjen e bustit të Stalinit, veprim për të cilin Zoti Dvorani i kërkoi trupit gjykues burgosjen e tyre.
Shumë i dyshimtë është vazhdimi i mbajtjes prej tij i detyrës së gjyqtarit të Gjykatës së Lartë, gjashtë vjet pasi i ka mbaruar mandati 9 vjeçar, dhe në kundërshtim me në vendim të Gjykatës Kushtetuese, duke u justifikuar me boshllëqe ligjore.
Së fundmi, drejtimi prej tij i KED-it gjatë vitit të shkuar ka qenë i dhënuar nga një sërë vendimesh të dyshimta të cilat në dukje përbëjnë shkelje ligjore dhe kushtetuese.
Kallëzimi i Presidentit ndaj tij erdhi pas ngërçit të krijuar Gjykatën Kushtetuese, si pasojë e mos zbatimit nga Dvorani të rradhës kushtetuese të plotësimit të vendeve bosh të Gjykatës Kushtetuese.