Në një artikull të Exit.al të publikuar në fillim të majit u raportua se Partia Socialiste nuk kishte plotësuar detyrimin e saj për përfaqësimin gjinor në listat shumë emërore të dorëzuar në KQZ për zgjedhet parlamnetare të 25 qershorit. PS renditej e fundit nga të gjitha partitë pë numrin e grave në listat e saj.
Por sot, me publikimin e listave të plota nga Partia Demokratike situata ka ndryshuar. Partia Demokratike në listat e saj ka vendosur më pak kandidate femra se Partia Socialiste.
Sipas, nenit 67 pika 6 e Kodit Zgjedhor, të paktën 30 për qind e kandidatëve të listuar duhte të jenë femra, si dhe një në tre emra duhet të jenë femra. Mos përmbushja e këtij kriteri dënohet me gjobë prej 1 milionë lek për çdo qark.
Partia Socialiste u gjobit me 1 milionë lek nga KQZ për listën e Beratit. Ndërsa Partia Demokratike u gjobit nga KQZ me 50 milionë lek sepse nuk ka plotësuar kuotat gjinore për 11 nga 12 qarqet e vendit. Po ashtu, në asnjë nga listat e kandidatëve, një në tre kandidatë nuk është grua.
Në listën e qarkut të Kukësit nuk ka asnjë kandidate grua. Ndërsa, e vetmja listë ku ky kriter plotësohet është qarku i Gjirokastrës — 30 për qind e kandidatëve janë femra.
Në total, 21 për qind e kandidatëve në listën e PD janë femra, ose më saktë 41 kandidatë nga 194 janë femra.
Ndërsa, përfaqësia gjinore në partitë e tjera pasqyrohet si më poshtë:
PS — 36 për qind;
LSI — 42 për qind;
PDIU—45 për qind.
Nëse shohim renditjen në vendet e sigurta, PD renditet më mirë në krahasim me partitë e tjera me 22 përqind të kandidatëve të sigurta femra.
Por duhet theksuar se gjysma e deputeteve femra të PD-së bëjnë pjesë në listën e qarkut Tiranë. Ndërsa qarqet si Elbasani, Fieri, Kukësi, Gjirokastra dhe Berati nuk do të kenë asnjë përfaqësuese femër.