Zyberi: Krimet e luftës duhen gjykuar, ka 1600 trupa të pagjetur

Nga Exit News
Zyberi: Krimet e luftës duhen gjykuar, ka 1600 trupa të pagjetur

Pavarësisht se krimet e luftës në Kosovë janë gjykuar njëherë nga Tribunali i Hagës, hetimi i tyre duhet të vazhdonte, sepse në Kosovë ka ende 1600 trupa të pagjetur dhe shumë krime të pandëshkuara.

Kështu u shpreh Gentian Zyberi, Profesor i të Drejtës Ndërkombëtare dhe të Drejtave të Njeriut në Universitetin e Oslos, në një intervistë me Neritan Sejaminin në “Me pak Fjalë”, në Euronews, për hetimin e politikanëve të lartë të kosovës nga Gjykata Speciale.

Pyetur nëse duhet bërë hetime për krimet e luftës, Zyberi u përgjigj:

“Padyshim që po. Sepse ka ende 1600 të pagjetur, krime të kryera në Kosovë, të pazbardhuara. Fakti që ka pasur një proces në tribunalin e Hagës, nuk do të thotë që ky proces ka përfunduar. Shteti i Kosovës duhet ta vazhdonte këtë punë dhe t’i jepte prioritet. Kjo nuk ka ndodhur në masën e duhur. Përsa i përket UNMIK dhe EULEX ato kanë lënë për të dëshiruar, në hetimin e procese të krimeve të luftës.”

Ai u shpreh i bindur se gjykata speciale ka të gjithë kapacitetin për të hetuar krimet e luftës:

“Gjykata speciale është bazuar në ligjin e Kosovës dhe praktikat më të mira ndërkombëtare.

Shumica e individëve që punojnë në gjykatë dhe avokatë mbrojtës kanë experiencë të gjatë në këtë fushë. Ndaj gjykata speciale do të respektojë të drejtat e të akuzuarve sipas ligjeve ndërkombëtare.”

Zyberi sqaroi se kjo gjykatë funksionon sipas ligjit të posacëm të miratuar nga qeveria dhe parlamenti, duke sqaruar se kjo gjykatë është mbi ligjin kosovar:

“Në fakt unë nuk jam dakord me atë se Gjykata Speciale vepron përtej, ajo vepron në bazë të ligjit të posaçëm, në bazë të të cilit është ngritur. Politikanët dhe parlamenti kanë rënë dakord në këtë konfigurim.  Shumë gjëra mbeten për tu parë, se mendoj që jemi në fillimet e veprimtarisë”.

 

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>