Zyrtare: BE nuk do të hapë negociatat me Shqipërinë

Zyrtare: BE nuk do të hapë negociatat me Shqipërinë

Ministrat e Jashtëm të BE-së, të cilët u takuan dje në Bruksel, kanë pohuar se Shqipëria duhet të plotësojë pesë kushte para se BE të vendosë të hapë negociatat:

  1. Zbatimin e reformës në drejtësi dhe të ligjit të vetingut;
  1. Luftën kundër korrupsionit, veçanërisht atij në nivelet e larta;
  1. Luftën kundër krimit të organizuar dhe sidomos kultivimit dhe trafikimit të drogës;
  1. Zbatimin e ligjit të dekriminalizmit;
  1. Reformën zgjedhore dhe zgjedhjet e lira dhe të ndershme.

Në këtë mënyrë, ministrat e jashtëm kanë konfirmuar të njëjtat kushte të vëna më parë nga shumica parlamentare në Bundestagun gjerman.

Vendimi përfundimtar në lidhje me hapjen e negociatave do të merret më takimin e krerëve të qeverive të BE-së më 14-15 dhjetor, por nuk ka mundësi që kryeministrat e BE-së të mbajnë qëndrim të ndryshëm nga ai i ministrave të tyre të jashtëm.

Teksti i deklaratës së ministrave të BE-së, e cila sidoqoftë nuk u miratua për shkak të vetos së Austrisë kundër përfshirjes së Turqisë në paketën e zgjerimit, hedh poshtë çdo alibi të Kryeministrit Rama se korrupsioni, krimi dhe zgjedhjet e lira nuk janë kusht i BE-së për hapjen e negociatave dhe konfirmon se Kryeministri Rama ka gënjyer kur ka pretenduar në mënyrë kokëfortë se askush nga qeveritarët e BE-së nuk i ka përmendur atij kusht tjetër veç atij të vetingut.

Për më shumë, raporti nxjerr hapur diletantizmin dhe prapambetjen politike të Kryeministrit Rama, i cili, në traditën e politikanëve të këqij ballkanikë, sulmoi të gjithë politikanët e rëndësishëm evropianë që ngritën shqetësimin për krimin dhe korrupsionin, si kusht për negociatat.

Raporti ngre edhe një shqetësim serioz që lidhet direkt me sjelljen politike të Kryeministrit Rama. Ministrat e jashtëm i kanë tërhequr vëmendjen Shqipërisë për marrëdhëniet me fqinjët dhe i kanë kërkuar shmangien e veprimeve dhe deklaratave që kanë ndikim negativ në marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe i kërkon Shqipërisë që të ndjekë një politikë të jashtme në përputhje me parimet e politikës së jashtme të BE-së. Ky shqetësim është përgjigje direkte ndaj retorikës agresive dhe pseudonacionaliste të Kryeministrit Rama veçanërisht ndaj Greqisë.

Por raporti i ministrave të jashtëm është një shuplakë edhe ndaj Komisionit Evropian dhe sidomos Delegacionit të BE-së në Tiranë, të cilët kanë heshtur në mënyrë flagrante mbi gjendjen e krimit, drogës, dhe korrupsionit në Shqipëri.

Në mënyrë të veçantë, raporti nxjerr zbuluar Ambasadoren Vlahutin, e cila jo vetëm nuk ka reaguar për asnjë problem në vend, përjashto reformën në drejtësi, por ka treguar vazhdimisht afërsi me qeverinë duke vënë në dyshim rolin e saj mbikqyrës dhe nxitës për zbatimin e detyrimeve që burojnë nga procesi i integrimit në BE.

Pavarësisht gjendjes së rëndë të krimit dhe korrupsionit, pavarësisht moszbatimit të ligjit të dekriminalizimit, pavarësisht mos kryerjes së reformës zgjedhore, Ambasadorja Vllahutin ka heshtur dhe nuk ka ngritur asnjëherë zërin për më shumë se një vit.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>