141, 600 vaksina të Astra Zenecës do të marrë Shqipëria si pjesë e nismës Covax të Bashkimit Evropian për shpërndarjen e vaksinave covid në vendet e mesme dhe te varfra.
Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu shpjegoi në nëntor 2020 se përmes nismës Covax qeveria parashikon të vaksinojë rreth 20 përqind të popullsisë, ose 570 mijë qytetarë doza të vaksinës.
Ndërkohë Shqipëria e ka nisur procesin e vaksinimit më 11 janar me 975 dozat e para të dhuruara nga një vend anonym. Ndërsa më 1 shkurt erdhën në vend 1170 dozat e blera nga qeveria tek kompania Pfizer.
Covax nisi shpërndarjen e vaksinave më 6 janar 2021, pas kritikave për vonesë nga shumë vende të BE-së.
Drejtoresha e OBSH-së për imunizim, Kate O’Brien me këtë rast njoftoi se OBSH-së i duhen rreth 7 miliardë dollarë në mënyrë që të mund të shpërndajnë vaksina të mjaftueshme në vendet e mesme dhe të varfra, deri në fund të vitit 2021.
Për shkak të vonesës së funksionimit të nismës COVAX, Komisioni Europian më 19 janar njoftoi se po punon të krijojë një mekanizëm për të siguruar shpërndarjen e vaksinave nga vendet anëtare të BE-së drejt kategorive të rrezikuara të vendeve të Ballkanit Perëndimor.