150 mijë persona janë vaksinuar në vend që prej fillimit të procesit. Lajmin e dha Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu sot, 1 prill, gkjatë monitorimit të vendeve të vaksinimit në Rrogozhinë.
Manastirliu u shpreh se kanë mbaruar 50 përqind e dozave të vaksinave të marra deri më tani.
Të mërkurën, ajo njoftoi mbërritjen e 20 mijë dozave të vaksinës së Pfizerit. Ndërsa Kryeministri Rama njoftoi se qeveria ka siguruar edhe 50 mijë doza vaksinash, pa publikuar emrin e kompanisë, në një postim në Facebook, të mërkurën pasdite.
Rama ka premtuar vaksinimin e 500 mijë personave deri në qershor.
Procesi i vaksinimi në vend nisi më 7 janar 2021 me vaksinimin e mjekëve dhe popullatës mbi 80 vjeç. Ndërsa në fund të marsit nisi vaksinimi masiv i popullsisë mbi moshën 70 vjeç.
Në vend po administrohen 4 lloje të ndryshme vaksinash, ajo kineze Sinovac, ruse Sputnik V, britanike AstraZeneca dhe amerikane Pfizer.