Gjatë fundjavës, Kryeministri Rama, kreu i PD-së Basha, Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri dhe kreu i Kuvendit Ilir Meta replikuan me njëri-tjetrin në distancë.
Ndërsa Zoti Basha akuzoi Zotin Rama për bashkëpunim me trafikantët e drogës, ky i fundit iu shmang tërësisht akuzave dhe iu përgjigj Zotit Basha me një “analizë” të fitores së kandidatit të majtë në zgjedhjet e Dibrës.
Kreu i PD-së Luzlim Basha:
Droga po shkatërron procesin politik: sikurse u pa në Dibër, tashmë edhe zgjedhjet i vendosin kriminelët. Edi Rama vetë është me kriminelët.
Kryeministri Rama:
“Dibra e kishte shumë të qartë të votonte kandidatin tonë. Pse dibranët duhet të votonin dhe të shkonin pas zhurmës, baltës dhe daulleve të PD-së?!”
Më të drejtëpërdrejtë kanë qenë në akuzat e tyre kreu i Kuvendit Meta dhe ministri i Brendshëm Tahiri.
Kreu i Kuvendit Ilir Meta:
“Ka kanabis sot, kishte dje, ka pasur dhe pardje e kështu me radhë. Kjo është një çështje që politika duhet të merret. Nuk mund të themi: kishte dje dhe s’kemi ç’të bëjmë sot.”
Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri:
“Kush bën sot sikur çuditet, i shmanget qëllimisht të vërtetës se kanabisi ishte një fenomen i kudondodhur, por i fshehur nga sytë e publikut deri në vitin 2013, nga një qeveri e polici që mjaftohej me komunikata sekrete për rrënjët anembanë Shqipërisë, dhe garantonte fitimet marramendëse të Republikës së Lazaratit!”
Për të mbyllur replikat e fundjavës të qeveritarëve që nuk ofrojnë zgjidhje, lajmi i parë i së hënës është: Policia kufitare shqiptare nuk kap dot një gomone me 1 ton kanabis megjithëse e ndjek për shtatë orë në det. Gomonia kapet nga policia kufitare italiane për më pak se sa një orë.