“Vonesa në arrestimin e Klement Balilit, ish-zyrtar në Sarandë, përfaqëson një dështim të madh të Policisë dhe sistemit të Drejtësisë.”
Kështu deklaroi Ambasadori amerikan Donald Lu, paraditen e sotme, në analizën e punës vjetore të Avokatit të Popullit. Ai theksoi paaftësinë e institucioneve shqiptare për të luftuar krimin, me gjithë mbështetjen dhe nxitjen e institucioneve ndërkombëtare.
Për 7 muaj kam nxitur policinë, Ministrin e Brendshëm, Ministrin e Drejtësisë, Prokurorin e Përgjithshëm që ta arrestojnë Klement Balilin. Kanë kaluar 7 muaj që kur policia greke arrestoi trafikantët e drogës të lidhur me Balilin në Greqi. Ai [Klement Balili] ecën lirisht rrugëve të Tiranës, sepse deri të premten e kaluar zyra e Kryeprokurorit nuk kishte urdhëruar arrestimin e tij.
Ambasadori Lu akuzoi të gjithë klasën politike shqiptare si të lidhur me bandat kriminale të drogës.
Shqipëria do të ishte një vend më i mirë nëse qeveritë do t’i vinin veshin zyrës së Avokatit të Popullit. Në vend të kësaj politikanë nga e majta dhe e djathta i kanë kushtuar vëmendje interesave të fuqishme të biznesmenëve të korruptuar, kriminelëve të mëdhenj, madje edhe trafikantëve të drogës.
Nga deklarata e sotme duket se ambasadori Lu është në të njëjtin mendim me ministrat e jashtëm të BE-së, se Shqipëria nuk është gati të jetë pjesë e Bashkimit Evropian, pa treguar se mund të luftojë krimin dhe pa përmbushur kushtet e kërkuara.
Nëse Shqipëria nuk mund të kapë Klement Balilit si mund të shkojë pas “peshqve të tjerë të mëdhenj”?! Kush do të donte të punonte me Shqipërinë, kush do të besonte se ky është një vend serioz në luftën kundër trafikut të drogës?!