Ministrat e Jashtëm të BE-së, të cilët u takuan përpara dy ditësh në Bruksel, kanë pohuar se Shqipëria duhet të plotësojë pesë kushte para se BE të vendosë të hapë negociatat. Një nga pesë kushtet është lufta kundër krimit të organizuar.
“Rezultate më të efektshme duhet të arrihen në çmontimin e rrjetit kriminal dhe në luftën ndaj trafikimit e prodhimit të drogës. Numri i vogël i dënimeve për krimin e organizuar, përfshirë pastrimin e parave dhe trafikimin e qënieve njerëzore, vazhdojnë të mbeten çështje për tu shqyrtuar me masat e duhura” – shkruhet në raportin e Minsitrave të Jashtëm të BE-së.
Përveç deklaratës së ministrave të jashtëm të BE-së, edhe zyrtarë të lartë të SHBA-ve kanë reaguar për rezultatet e ulat në luftën kundër krimit.
Më 10 dhjetor Drejtori i CIA-s Brennan zhvilloi një takim të pazakontë me Drejtorin e Policisë Haki Cako. Qëllimi i takimit ishte mosbashkëpunimi i qeverisë shqiptare në disa operacione kundër drogës ku ka qënë e përfshirë edhe agjencia amerikane kundër drogës DEA.
Më 14 dhjetor ambasadori amerikan Donald Lu, i pranishëm në analizën e punës vjetore të Avokatit të Popullit, u shpreh se:
Nëse Shqipëria nuk mund të kapë Klement Balilit si mund të shkojë pas “peshqve të tjerë të mëdhenj”?! Kush do të donte të punonte me Shqipërinë, kush do të besonte se ky është një vend serioz në luftën kundër trafikut të drogës?!
Rasti i lirimit të Lulzim Berishës, të dënuarit me 25 vjet burg për vrasjen e pesë personave dhe rasti i Klemend Balilit janë provat e prekshme se qeveria shqiptare nuk po merr masat e duhura në përmbushjen e këtij kriteri.
Përkundrazi, dje, Kryeministri Rama akuzoi opozitën si përgjegjësen kryesore në lirimin e Lulzim Berishës, duke mbështetur vendimin e Zotit Dako. Ai u shpreh se:
Ju (opozita) edhe sot nuk keni kurajo të tregoni me gisht se kush e liroi Lulzim Berishën, por vazhdoni të thoni se e liroi bashkia e Durrësit. Imagjino ku jeni ju.
Mesa duket qeveria nuk mohon vetëm deklaratën e ministrave të jashtëm të BE-së, por ajo mohon edhe deklaratat e përfaqësuesve të lartë të SHBA-ve.