Ministri i Financave Arben Ahmetaj sqaroi sot skemën e rimbursimit të universiteteve. Ministri Ahmetaj deklaroi se fakultetet do të hartojnë listat e studentëve që përfitojnë nga ulja e tarifave dhe do të llogarisin efektin buxhetor që do të ketë rimbursimi, në bazë të vendimit të miratur nga qeveria më 26 dhjetor.
“Studentët që rezultojnë me notë mesatare 9-10 duhet të kenë shlyer të gjitha detyrimet akademike brenda vitit paraardhës. Bordi i administrimit vendos bursën me fondin në dispozicion. Për studentët e pranuar në vitin e parë me mesatare 9-10 është e njëjta procedurë si në Bachelor, pra i shihen dhe notat e maturës”, — shpjegoi ministri.
Pra, nëse një student nuk ka notën mesatare të të gjitha viteve mbi 9 dhe nëse një studentë i viti të parë nuk ka mesataren e shkollës së mesme mbi 9, ai nuk përfiton ulje tarife. Kjo do të thotë se cilido student me një provim të lënë për përmirësim do të përjashtohet nga ulja e tarifës së shkollimit.
Gjithashtu, ministri tha se “për ata me mesatare nga nota 5 deri në 9, përfitojnë 70 mijë studentë që nga 1 janar i 2019, efekti financiar është 1 miliardë lekë.”
Por, deklarata e Ministrit bie ndesh me vendim e qeverisë në të cilin përfshihen vetëm studentët me mesataren mbi notën 6.
Kjo do të thotë se qeveria po përpiqet t’i gënjejë studentët se i ka plotësuar kërkesat e tyre si një mënyrë për t’i bindur ata të ndalojnë protestën dhe ngujimin brenda fakulteteve. Sepse sikurse Exit.al e ka shpjeguar në një artikull të mëparshëm qeveria nuk ka fonde të mjaftueshme për të përballuar efektin financiar të kërkesave të studentëve.