Kryeministri Rama do të vizitojë të premten Vienën, në cilësinë e kreut të OSBE-së, për të marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit Special për krizën në Bjellorusi.
Gjatë takimit, Rama pritet të përsërisë ftesën e OSBE-së për të ndërmjetësuar dialogun mes presidentit Lukashenko dhe opozitës për zgjidhjen e krizës politike që ka nisur prej 9 gushtit.
Ditët e fundit, përmes një letre nënshkruar dhe nga Ann Linde, ministrja e Jashtme e Suedisë, vendi që do të ketë presidencën e radhës së OSBE-së, Rama shkruante se OSBE-ja është e gatshme të ndihmojë në gjetjen e një zgjidhjeje për sfidat që po kalon vendi.
Propozimi i Ramës është mbështetur dhe nga Këshilli Europian, BE-ja dhe SHBA-të, të cilët kanë shprehur gatishmërinë për të ofruar asistencë në realizimin e takimit.
Një ditë më parë, pro këtij propozimi u shpreh dhe Gjermania.
Por deri më tani, nuk ka pasur asnjë reagim për këtë ftesë nga Bjellorusia.