Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka rishikuar për poshtë parashikimin e rritjes ekonomike të Shqipërisë për vitin 2020.
Në ndryshim nga rënia prej 5 për qindësh për vitin 2020, parashikuar në prill, FMN tani parashikon një rënie më të fortë prej 7,5 përqindësh në 2020-ën, krahasuar me një vit më parë. Këtë parashikim, FMN e ka paraqitur në “Pasqyrën Ekonomike Globale” të tetorit 2020.
Të njëjtin përfundim FMN e lajmëroi dhe rreth 2 javë më parë në përfundim të misionit të vëzhgimit të FMN-së në Shqipëri.
Disa nga gjetjet kryesore të misionit të monitoritmi të FMN-së janë:
– Tërmeti i muajit nëntor 2019 dhe pandemia e COVID-19 kanë pasur pasoja të mëdha për jetën e njerëzve dhe ekonominë e Shqipërisë.
– Krahas një pandemie botërore më të rëndë, risqet kryesore vijnë nga defiҫitet dhe borxhi i rritur publik, dobësitë në financat publike dhe nga një nivel relativisht i lartë i kredive me probleme.
– Duhet përmirësuar aftësia e shtetit për të mbledhur taksat dhe tatimet.
– Përdorimi i PPP-ve me propozim të pakërkuar duhet të vazhdojë të parandalohet. Risqet fiskale po rriten dhe duhen monitoruar dhe menaxhuar me kujdes.
– Për shkak të varësisë ndaj turizmit dhe ndaj dërgesave të emigrantëve, ekonomia parashikohet të tkurret me rreth 7,5 përqind në vitin 2020.
– Defiҫiti fiskal parashikohet të rritet në rreth 7 përqind të PBB-së dhe borxhi publik pak mbi 80 përqind të PBB-së deri në fund të vitit 2020.
– Ekonomia parashikohet të rimëkëmbet duke filluar nga gjashtëmujori i dytë i vitit 2020 dhe do të fuqizohet gradualisht gjatë vitit 2021.
– Gjatë vitit 2021, autoritetet duhet të kufizojnë shpenzimet jo prioritare, për të krijuar hapësirë për shpenzime të mjaftueshme për kujdesin shëndetësor lidhur me pandeminë dhe për mbrojtjen sociale të grupeve më të cënuara.
– FMN është e shqetësuar se Korporata Shqiptare e Investimeve (KSHI) do të sjellë risqe të reja fiskale kur të fillojë nga puna.