Zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj, e ka cilësuar të domosdoshëm kërkimin e faljes nga Serbia për viktimat e luftës së Kosovës.
Në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit, Cakaj ka pohuar se Serbia “nuk mund ta ndryshojë të vërtetën e luftës” dhe as “t’i zhbëjë krimet makabre të kryera në Kosovë”.
Ai ka theksuar se Serbia mban të fshehtë trupat e zhdukur nga lufta.
“Fatkeqësisht, Serbia jo vetëm që nuk ka kërkuar falje ende, për krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidin e kryer në Kosovë, por vazhdon të mbajë të fshehur trupat e mijëra shqiptarëve të zhdukur nga lufta e fundit”, ka thënë Cakaj të mërkurën.
Për një paqe të qëndrueshme mes shteteve, Cakaj thekson si parakusht zbardhjen e plotë të së vërtetës së luftës.
“Përkushtimi për një të ardhme paqësore nuk nënkupton edhe harresën e gjenocidit të kryer nga Serbia në Kosovë. Përkundrazi! Nderimi i viktimave, kërkim-falja nga ana e Serbisë e zbardhja e plotë e të vërtetës së luftës së fundit në Kosovë është parakusht për pajtim dhe paqe të qëndrueshme”, ka shkruar Cakaj në Facebook.