Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç do të takohet të hënën me presidentin e Francës Emmanuel Macron, raportojnë mediat serbe.
Vuçiç ka shkruar në rrjetet sociale se do të diskutojë edhe për Kosovën në këtë takim.
Pak ditë më parë në Francë ishte për vizitë i dërguari i BE për dialogun Kosovë-Serbi , Mirosllav Lajçak.
Ai e ka konsideruar si një ide të rrezikshme shkëmbimin e territoreve Kosovë-Serbi.
Presidenti i Francës Emmanuel Macron, së bashku me kancelaren gjermane Merkel, kanë shtyrë të dy palët për të arritur një marrëveshje përfundimtare.
Së fundmi drejtuesit e partive në Kosovë janë përplasur me presidentin serb për shkak të një deklarate që ka bërë ai.
Vuçiç tha se do të bëjë të detyrueshëm shërbimin ushtarak në Serbi, për të ruajtur vendin.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti i kërkoi ndërkombëtarëve të reagojnë ndaj deklaratave të tij dhe i cilësoi ato të rrezikshme.
Në mars 2021 bëhet 10 vjet që prej nisjes së dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
Dialogu u ndërpre në fund të vitit 2018, pas vendosjen e taksës 100 përqind nga qeveria e Haradinajt mbi mallrat nga Serbia.
Më vonë, qeveria Kurti vendosi masa reciprociteti ndaj Serbisë, por këto të fundit u hoqëm nga Qeveria e Hotit, për të mundësuar vazhdimin e dialogut.
Deri më tani palët kanë arritur një marrëveshje për normalizimin e raporteve ekonomike, por bisedimet shpeshherë janë ndalur dhe ende nuk ka një dakordësi përfundimtare.