Vaksinat e Covid19 mund të jenë të nevojshme edhe për shumë vite, tha të hënën kancelaria gjermane Angela Merkel. “Është e ngjashme me vaksinën e gripit” tha Merkel në Berlin pas një takimi mbi fushatën e vaksinimit të Gjermanisë.
Në takim ajo gjithashtu i doli në mbrojtje vonesave në procesin e vaksinimit në BE, raporton DW. Merkel shtoi se qeveria gjermane kishte marrë masat e nevojshme për t’u ofruar të gjithë gjermanëve një vaksinim deri në fund të verës.
Kjo ishte e mundur pavarësisht vonesave në disa dërgesa, tha ajo, sepse qeveria kishte marrë siguri rreth rezervave të vaksinave që do të mbërrinin për çdo tremujor.
Merkel tha se kishte arsye të ndryshme për ngadalësimin e ritmit të vaksinimit në Gjermani krahasuar me vendet e tjera.
Gjermania ka një kapacitet relativisht të kufizuar të prodhimit në krahasim me SHBA. BE nuk kishte zgjedhur miratimin emergjent të vaksinave. Kjo ka të bëjë edhe me besimin, tha Merkel.
Kancelarja dhe 16 drejtuesit e landeve në Gjermani u takuan të hënën për të diskutuar përmirësime të mundshme të programit të vaksinimit të vendit.
Disa ministra federalë dhe përfaqësues të të dy prodhuesve të vaksinave dhe Komisionit Evropian, morën pjesë në një konferencë online. Disa nga drejtuesit kërkuan qartësi si për sasinë ashtu edhe për kohën e vaksinave, pas një konfuzioni të gjerë.
Gjermania, e hapur për vaksinat ruse dhe kineze
Ministri gjerman i shëndetësisë, Jens Spahn deklaroi se Gjermania është e hapur dhe për vaksinat ruse ose kineze.
Në një intervistë Frankfurter Allgemeine Zeitung, ai theksoi se nuk ka rëndësi vendi i prodhimit të tyre për aq kohë sa ato janë efektive. Kjo deklaratë e Spahn vjen në një kohë kur Europa po përballet me krizën e shpërndarjes së vaksinave.
Qeveria gjermane, të dielën kërcënoi se do të ndërmarrë veprime ligjore kundër kompanive që prodhojnë vaksina, në rast se do të ketë vonesa. Ajo është përballur me kritika për procesin e ngadaltë të vaksinimit.
Në ditët në vijim, zyrtarë të lartë gjermanë do të takohen me prodhuesit e ilaçeve për të zgjidhur problemet me furnizimin.
Gjermania ka pasur probleme me furnizimin me vaksina nga kompanitë Pfizer e BioNTech, si dhe pasiguri në lidhje me efikasitetin e vaksinës AstraZeneca tek njerëzit e moshës 65 vjeç e lart.