Turqia i vë kusht Shqipërisë: Lufto organizatën gyleniste FETO

Nga Exit News
Turqia i vë kusht Shqipërisë: Lufto organizatën gyleniste FETO

Kreu i Asamblesë së Turqisë, Mustafa Sentop i ka kërkuar qeverisë shqiptare të luftojë praninë e organizatës turke “FETO” në vend.

Në një takim, të enjten me Kryetarin e Kuvendit Gramoz Ruçi, zyrtari turk tha se “kjo organizatë terroriste është prezente edhe në Shqipëri. [Ajo] e maskon aktivitetin me institucione arsimore, në shëndetësi, media e shoqata të ndryshme”.

Ai tha se kjo organizatë nuk do të prishë marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve, duke përmendur këtu investime me rreth 1 miliardë dollarë brenda disa viteve në vend.

Turqia dhe Shqipëria kanë rënë dakord ta quajnë organizatën e Fetullah Gylenit ‘FETO’, si organizatë terroriste, ndaj ato kanë marrë masa për ta luftuar atë.

23 shtator qeveria vendosi mbylljen e dy institucioneve arsimore fetare medresenë “HAFIZ ABDULLAH ZËMBLAKU”, Korcë dhe Ali Korca në Kavaje. Vendimi për mbylljen e shkollave u morr vetëm një javë pas takimit të Kryeministrit Rama me Presidentin turk Erdogan, në Turqi.

Në janar 2020, qeveria shqiptare ekstradojë mësuesin turk Harun Çelik, megjithëse kishte kërkuar azil pasi i rrezikohej jeta në Turqi. Pas ekstradimit, gjykata turke dënoi me burg mësuesit Harun Çelik. Qeveria shqiptare u kritikua nga një sërë institucionesh ndërkombëtare për dëbimin e mësuesit turk.

Në 2017, qeveria shqiptare largoi forcërisht nga Shqipëria Muhammed Ysir Aydogmus, i cili u ndalua nga policia në Portin e Durrësit duke tentuar të nisej për në Bari të Italisë me pasaportë fallco. Aydogmus, 39 vjeçari kërkohej nga Turqia për akuzën e pjesmarrjes në  organizatën FETO të klerikut Fetullah Gulen.

FETO dhe udhëheqësi i saj me banim në SHBA, Fetullah Gulen u akuzuan nga Ankaraja si organizator të grushtit të shtetit më 15 korrik 2016, ku u vranë 251 persona dhe u plagosën 2, 200 persona.

Ankaraja e ka akuzuar FETO se qendron pas një fushate për infiltrimin në institucionet turke, në veçanti në ushtri, polici dhe gjyqësor.

Presidenti Erdogan në mënyrë të vazhduar ia ka bërë të qartë Kryeministrit Rama se pret nga Shqipëria, të cilin ai e quan vend ‘mik’, të mbyllë shkollat e insitucionet e tjera të drejtuara nga FETO.

Kryeministri Rama dhe qeveria shqiptare ishte ndër të parat që u solidarizua me Presidentin Erdogan dhe Turqinë pas grushtit të shtetit në korrik 2016.

Në nëntor 2016, Ministria e Arsimit e Shqipërisë miratoi kërkesën e Ambasadës turke për ndalimin e përdorimit të emërtimeve dhe simboleve turke në institucionet arsimore jopublike në Shqipëri. Kërkesa e ambasadës kishte në shënjestër rrjetin e kolegjeve turke në Shqipëri të cilat janë nën pronësinë e organizatës FETO.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>