Partitë Politike në Shqipëri kanë shkelur masat anti COVID të vendosura nga Komiteti i Ekspertëve për të parandaluar përhapjen e COVID-19.
Partitë kryesore në vend PD, PS e LSI janë parë duke grumbulluar më shumë se 10 persona për fushatë elektorale, duke shkelur kështu masat.
Qeveria prej rreth një viti ka ndaluar grumbullimin e më shumë se 10 personave në ambient të mbyllur dhe të hapur. Personat që shkelin këtë rregull dënohen me 1 milionë lek.
Gjithashtu, në vend është e detyrueshme mbajtja e maskës në ambientet e jashtme dhe të brendshme. Personat që shkelin këtë rregull dënohen me 3 mijë lek gjobë.
Partia Socialiste
Përfaqësuesja e PS Elisa Spiropali ka postuar në Facebook foto nga takimet me qytetarët ku shihen më shumë se 10 persona të grumbulluar.
Spiropali edhe më herët ka vepruar njësoj, ku ka grumbulluar disa dhjetra persona në një ambient të mbyllur në 1 shkurt në Bathore.
Në disa prej fotove që ajo ka publikuar, Spiropali shfaqet edhe pa maskë duke shkelur kështu edhe një tjetër masë.
Policia ka gjobitur nga PS ministrin e Mjedisit Blendi Klosi për shkelje të masave anti COVID-19.
Partia Demokratike
Drejtuesi politik i PD në Elbasan Gazment Bardhi ka postuar foto nga takimet elektorale ku shfaqet pa maskë duke takuar banorë të ndryshëm, ku shumica e tyre është po ashtu pa maskë.
Në një tjetër postim Bardhi shfaqet në një tavolinë me më shumë se 10 persona, duke shkelur kështu një tjetër masë.
Më herët Policia ka gjobitur përfaqësuesin e Partisë Demokratike, Belind Këlliçi për shkelje të rregullave anti-Covid.
Lëvizja Socialiste për Integrim
LSI është një parti që është gjobitur edhe më parë për shkelje të masave anti COVID. Po ashtu kryetarja e LSI Monika Kryemadhi është kritikuar për qasjen e saj ndaj COVID-19, pasi është shprehur se nuk beson tek ai.
Monika Kryemadhi dhe Endrit Brahimllari janë gjobitur për shkelje të këtyre masave.
Të mërkurën nënkryetari i LSI Petrit Vasili ka postuar foto nga takimet elektorale ku shfaqet me më shumë se 10 persona në një ambient të mbyllur duke shkelur kështu masat.
Po ashtu personat në foto janë pa maskë duke shkelur dhe një tjetër masë të vendosur nga Komiteti i Ekspertëve.