Partia Demokratike e Kosovës e ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti për faktin se ai do të marrë i pari vaksinën.
Përmes zëdhënësit të PDK Avni Bytyçit, kjo forcë politike u shpreh se ka kategori të tjera më të riskuara që duhet të vaksinohen të parët. Kurti e ka kaluar Covid-19, e sipas PDK duhet të vaksinohej i fundit.
“Së pari, le ta kryej punën e tij si kryeministër e le t’i sigurojë dozat tjera. Këto vaksina janë lëmoshë për kategorinë më të rrezikuar e jo për politikanët, që edhe ashtu i kanë kushtet e shërbimet më të mira. Nëse nuk ju duken këto argumente të mjaftueshme, shikojeni kancelaren gjermane, Angela Merkel që e pret rendin e saj, edhe pse vaksina është zbuluar nga dy shkencëtarë gjermanë”, ka shkruar ai.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti u vaksinua të hënën në Prishtinë.
Kurti tha se me shembullin që dha do të inkurajojë të gjithë qytetarët që të vaksinohen dhe të heqin dilemat.
“Me shembullin tim dua t’i inkurajojë të gjithë qytetarët të vaksinohen dhe të heqin dilemat. Vaksinimi është i nevojshëm, po përballemi me një pandemi të vështirë dhe zgjidhja përfundimtare është vaksinimi i popullsisë ”, ka deklaruar Kurti.
Të martën do të nisë procesi i vaksinimit të mjekëve dhe personave mbi 80 vjeç në Kosovë.
Shumica e liderëve në botë kanë vepruar njësoj si Kurti, duke marrë vaksinën të parët për të siguruar popullsinë se nuk ka asnjë rrezik.