Kreu në detyrë i PDK-së , Enver Hoxhaj, shprehu sërish qëndrimin e partisë së tij kundër zgjedhjes së Vjosa Osmanit në postin e presidentes së Kosovës.
Hoxhaj e cilësoi Osmanin si “figurë përçarëse dhe njëpartiake”, sipas REL.
Hoxhaj tha në një konferencë për shtyp se PDK-ja mbështet krijimin e institucioneve të reja, por ato nuk duhet të rrezikojnë demokracinë apo polarizojnë skenën politike.
Me zgjedhjen e Osmanit në krye të shtetit, vijoi ai, pushteti do të përqëndrohet në duart e kryeministrit Albin Kurti.
“Meqë zoti Kurti, deri më tash, ka treguar një logjikë dhe mendësi autoritare, do të ishte e rrezikshme që Presidenca, Kuvendi dhe Qeveria të kontrolloheshin nga një parti dhe nga një njeri. Prandaj, edhe kjo do ta dëmtonte atë mekanizmin e kontrollit dhe të balancës së pushtetit në demokraci, që ekziston edhe në Kosovë”, tha Hoxhaj.
Sipas Hoxhajt, PDK-ja do të merrte në konsideratë një tjetër propozim të LVV-së për postin e presidentit. Ai duhet të jetë kandidat konsensual dhe të përfaqësojë shoqërinë e Kosovës dhe jo vetëm një parti.
“Nuk mendojmë që është detyrë e jona që të dalim me kandidat për president, meqë zgjedhjet i ka fituar Lëvizja Vetëvendosje. I takon shumicës që ta udhëheqë një proces të tillë”, tha ai.
Të martën, ish-partia e saj tha se do të marrë pjesë në votimin e presidentit.
Kundër zgjedhjes së Osmanit në krye të shtetit është deklaruar edhe partia tjetër opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Ndërsa kreu i ri i LDK, Lumir Abdixhiku është shprehur pro kandidaturës së Osmanit, si dhe partitë e komuniteteve minoritare.
Sipas Kushtetutës, vendi mund të udhëhiqet me ushtrues detyre vetëm për gjashtë muaj.