Kuvendi ka ftuar gazetarë të diskutojnë të premten mbi vendimin për ndalimin e pranisë së tyre në sallën e kuvendit apo në komisione.
Ata do të takohen në mëngjes për të diskutuar me Sekretarin e Përgjithshëm të Kuvendit, Genci Gjoncaj.
Presidenca e Kuvendit vendosi që punonjësit e medias të mos jenë më të pranishëm në mbledhjet e komisioneve parlamentare, por t’i ndjekin ata nga një dhomë e veçantë përmes një sistemi audio-video.
Gazetarët deklaruan se nuk ishin konsultuar gjatë procesit të vendimmarrjes.Ata më pas protestuan jashtë parlamentit.
Kjo shkaktoi reagim nga Kuvendi, i cili tha se Delegacioni Evropian në Tiranë kishte hartuar, financuar dhe miratuar sistemin, prandaj sugjeroi që ndalimi kishte miratimin e BE-së.
Ambasadori i BE-së, Luigi Soreca reagoi ndaj pretendimeve të Kuvendit, duke deklaruar se rregullat e reja nuk janë brenda udhëzimeve të BE.
“Këto rregulla nuk janë në përgjigje të udhëzimeve të BE-së ose këshillave të dhëna nën kujdesin e IPA-s, të nisur në këtë kontekst në 2014,” shkroi ai.
Ai shtoi se pjesëmarrja në ngjarje të tilla pa kufizime është një pjesë e rëndësishme e demokracisë.
“Dëgjimet publike dhe aksesi i mediave në Parlament për të mbuluar punën e seancave dhe komisioneve të tij janë elementë të rëndësishëm të një demokracie liberale,” shtoi Soreca.
Ambasadorja franceze Elisabeth Barsacq gjithashtu komentoi në mbështetje të EUD në Tiranë.
Ajo ribotoi reagimin e BE-së dhe shprehu keqardhje për vendimin e marrë, duke thënë:
“Le të mbështesim lirinë e shtypit, ajo është baza e të gjitha lirive të tjera, përmes të cilave ne ndriçojmë veten reciprokisht.”
Përfaqësuesja e PD-së, Albana Vokshi foli për mbështetjen e saj për gazetarët dhe bëri thirrje që asambleja të tërheqë vendimin.
“Vendimet e paligjshme, antikushtetuese dhe jodemokratike që parandalojnë gazetarët të bëjnë punën e tyre në Kuvend duhet të kthehen mbrapsht,” tha ajo.
Vokshi shtoi se “kufizimi i lirisë së medias në një vend që shpreson të hapë negociata me BE është po aq i papranueshëm sa vjedhja e votës.”