Qeveria e Kosovës është e gatshme të heqë për targa të përkohshme për makinat me targa serbe që hyjnë në vend, nëse edhe Serbia e bën të njëjtën gjë për makinat nga Kosova.
“Te ky reciprocitet i targave të përkohshme për vetura ose Kosova dhe Serbia kanë të dyja të drejtë, ose e kanë të dyja gabim. Pra, ose do t’i mbajmë aso lloj targash të dyja shtetet, ose le t’i heqim ato edhe Kosova edhe Serbia”, u tha Kurti ambasadorëve të Quintit – SHBA, Gjermani, Mbretëri e Bashkuar, Francë, Itali – në një takim të martën.
Takimi erdhi pasi presidenti serb Aleksandar Vuçiç refuzoi një zgjidhje të propozuar nga vendet e Quintit, të cilën ai nuk e bëri publike. Në vend të kësaj, ai kërkoi tërheqjen e pakushtëzuar të policisë së Kosovës nga dy pikat kufitare në veri të vendit, ku disa dhjetëra serbë të Kosovës kanë bllokuar rrugët që nga dita e djeshme.
Bllokimi i rrugëve erdhi pasi qeveria e Kosovës nisi të zbatojë të njëjtën masë që zbaton Serbia ndaj makinave me targa të Kosovës: pajisjen në kufi me targa të përkohshme kur makina hyn në vendin fqinj.
Serbia e ka zbatuar një masë të tillë ndaj makinave nga Kosova që kur kjo shpalli pavarësinë në vitin 2008.
Kurti i informoi ambasadorët se asnjë incident nuk ka ndodhur deri më tani në asnjë vendkalim kufitar. Policia kufitare e ka zbatuar masën në mënyrë profesionale, të barabartë dhe efikase në të gjithë vendin. Forcat speciale të policisë u vendosën për shkak të bllokimit të rrugëve, por ata vetëm kanë folur me protestuesit dhe nuk kanë ndërhyrë me forcë.
Ambasadorët dhe Kurti ranë dakord për nevojën për qetësi dhe ulje të tensionit.