Kelmend Balili, i akuzuar për trafik ndërkombëtar droge dhe në kërkim nga policia greke dhe DEA amerikane, ka dërguar një letër sqaruese për median greke, nëpërmjet avokatit të tij.
Në letër ai sqaron se:
Akuzat e policisë greke janë bazuar vetëm në një telefonatë të tijën me një nga personat e përfshirë në hetim.
Policia greke e ka bërë këtë operacion në bashkëpunim me ish-kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha, për të dëmtuar kryeministrin Edi Rama.
Hotelet luksoze, fotot e të cilave janë publikuar në media, janë pronë e motrave dhe vëllezërve të tij, të cilat ai i ka blerë me kredi nga bankat shqiptare.
Kelmend Balili u arratis nga Shqipëria në maj 2016, pasi policia greke lëshoi një urdhër arresti për të, me akuzën e trafikut të lëndëve narkotike dhe pjesëmarrjes në organizatë kriminale.
Ai u bë sërish lajm kryesor në median greke javën e shkuar, kur policia greke kapi rreth 1 tonë marijuanë të ardhur nga Shqipëria. Mediat shkruan se sasia e drogës i përkiste organizatës kriminale të drejtuar nga Kelmend Balili.
Megjithëse, ai është person i shpallur në kërkim opozita ka sjellë fakte të pranisë së tij në vend, të paktën në dy raste:
Në muajin gusht, duke shëtitur me jaht në brigjet e Sarandës nën shoqërinë e një drejtuesi të lartë të policisë.
Në muajin shtator, duke festuar në shoqërinë e kreut të PS të Tepelenës në dasmën e nipit të bashkëshortes së tij, i cili ka marrë detyrën që mbante Balili si drejtor i Transporteve të Sarandës.
Kelmend Balili prej më shumë se një viti u hetua nga policia greke, në bashkëpunim me shërbimet antidrogë amerikane dhe policinë shqiptare. Ai akuzohet për krijimin e një organizate kriminale e cila trafikonte drogë nga Shqipëria në drejtim të Greqisë dhe vendeve të tjera të BE-së.
Gjatë periudhës 2014-2016, policia greke, britanike dhe bullgare kanë sekuestruar rreth 2,4 ton marijuanë dhe 23 kilogramë kokainë të trafikuara nga organizata e drejtuar nga Zoti Balili.
Artikuj të lidhur:
Rasti Balili si dëshmi e rënies së shtetit dhe falimentimit të institucioneve publike
Pasuritë marramendëse të cilat nuk ngjallën dyshimin e askujt