Kërkesa e dërguar me datën 18 shkurt nga Sekretari i Përgjithshëm Engjëll Agaçi për Zotin Christian Danielsson, Drejtor i Përgjithshëm kompetent në shërbimet e Komisionit Evropian — që ONM-ja të niste veprimtarinë sa më shpejt — është në shkelje të ligjit, shprehet Minstri i Drejtësisë Petrit Vasili.
“Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave de jure, është pjesë e nëpunësve civile të administratës publike, por de facto në rastin konkret, në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjin, ka ushtruar kompetenca që nuk i ka patur, apo që nuk i janë dhënë ndonjëherë. Kjo është dhe fryma e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe amendamenteve të saj, të miratuara në mënyrë konsensuale në datën 21-22 korrik 2016”, — shkruan Ministri Vasili, në një letër dërguar Presidentit Nishani, Kryetarit të Kuvendit Meta dhe Ambasadorëve Lu dhe Vlahutin, më datën 20 shkurt.
Reagimi i Zotit Vasili vjen pas përgjigjes së Komisionerit Hahn, se shqetësimet e Ministrave shqiptarë të Drejtësisë dhe të Integrimit nuk janë të bazuara, sepse krijimi i Bordit të ONM-së mbështetet në Aneksin B të Kushtetutës së miratuar më 21 korrik 2016.
Kjo është letra e dytë dërguar autoriteteve vendase dhe ndërkombëtare, nga Ministri Vasili për krijimin e bordit të ONM-së. Në letrën e parë, ai thekson se nuk ka bazë kushtetuese për krijimin e një bordi të tillë. Sipas aneksit B të Aneksit të Kushtetutës, OMN-ja duhet të përbëhet nga pesë ekspertë të ligjit me të paktën 15 vjet përvojë. OMN-ja do të ketë rol kyç në këshillim e Parlamentit për sa i përket emërimeve në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit (KPK), Kolegjit të Apelimit (KA) dhe Komisionerëve Publikë, që do të kryejnë procesin e vettingut, ndihmuar nga ONM, për anëtarët e sistemit të ritë drejtësisë.