Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj foli dje për rikonstruktimin e Pazarit të Ri, projekt i përfunduar pak ditë më parë. Duke e quajtur si një premtim të mbajtur të Bashkisë Tiranë, Zoti Veliaj, i ftuar në emisionin Opinion, deklaroi:
“Gjëja e parë që kam bërë, duke qenë se kam premtuar edhe në fushatë dhe kam pasur një lidhje sentimentale me “Pazarin e Ri”, që nga koha kur unë kam qenë fëmijë dhe kam shitur në atë pazar. Ne iu përgjigjem kësaj kërkese, jo vetëm duke bërë të njëjtin financim, por disa fish. Sot, Fondi Amerikan ka dhënë mbi 1 milion dollarë, Bashkia e Tiranës ka dhënë mbi 2 milion dollarë, qeveria shqiptare po 2 milion dollarë. Ne jemi tek niveli i 5 milion dollarëve, sigurisht pjesa më e madhe është financim i gjithë ekosistemit aty.”
Shifrat e deklaruara nga Zoti Veliaj bien në kundërshtim me ato të publikuara nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF), iniciatori dhe financuesi kryesor i projektit. Sipas Zotit Veliaj, Bashkia Tiranë dhe qeveria Rama kanë dhënë në total katër milionë dollarë, ndërsa AADF “mbi një milionë dollarë”.
Fondacioni pak ditë më parë në një njoftim për publikun sqaroi qytetarët për projektin e Pazarit të Ri dhe shumën e financimit.
Duke falenduar sipërmarrësit e zonës për investimet e tyre, Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim sqaroi:
“Në këtë projekt ambicioz, për të cilin shumë ishin skeptik, Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim ka angazhuar 3 milion dollarë dhe Bashkia Tiranë në bashkëpunim me qeverinë shqiptare kontribuan me rreth 2,5 milion dollarë në punimet e rikonstruksionit. Ndërsa investimet private nga bizneset e zonës kanë kaluar shumën 4 milion dollarë”.
Sipas njoftimit të AADF, projekti ka nisur 5 vite më parë, dhe do të vazhdojë edhe në vitet në vijim me ofrimin e këshillimit për bizneset vendase.